Skandali me nëpunësit e Qeverisë, reagojnë partitë opozitare
Skandali me nëpunësit e Qeverisë, reagojnë partitë opozitare

Gazetar: Mefail Ismaili
Pas publikimit të informatave se nëpunës të Qeverisë në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta kanë udhëtuar si gazetarë në Sofje dhe kanë qëndruar për tre ditë, kanë reaguar edhe partitë politike, shkruan Alsat.
Nga VMRO-DPMNE thonë se populli vuan pasojat e krizës, ndërsa pushteti vazhdon luksin.
“Ja ky është luksi i pushtetit në kohë të krizës. Derisa i bindin punonjësit në arsim se nuk ka mjete të mjaftueshme për rritje ligjore e cila u takon, derisa nuk ka subvencione të paguara në arsim, derisa nuk ka masa efektive për frenimin e inflacionit ky pushtet vazhdon me shpenzimin e parave të popullit për shërbime hotelierike, udhëtime e të ngjashme. Populli e paguan shtrenjtë luksin e pushtetit. Kjo patjetër të ndalojë. Ky pushtet është burim i skandaleve dhe krizave dhe patjetër të ikë”, thonë nga VMRO-DPMNE..
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se pushteti nuk ka kontroll në lukset që bën.
“Krimi dhe korrupsioni kanë dehur këtë regjim dhe tanimë nuk kanë kontroll as në vjedhje dhe as në lukse. Në një kohë krize të rëndë, kur qytetarët kanë probleme me ekzistencën, Qeveria paguan aventura luksoze për të punësuarit në Sektorin për Punë të Përgjithshme. Udhëtimi tre ditorë në Bullgari në emër të gazetarëve, udhëtimi me veturat zyrtare, pagesa e dhomave në hotele të shtrenjta dhe shpenzimet e tjera janë lëndë serioze për përgjegjësi penale dhe politike, si për të punësuarit ashtu edhe për udhëheqësit e tyre”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
Partitë opozitare kërkojnë që Institucionet kompetente të marrin masa urgjente ndaj keqpërdorimeve të parave publike nga ana e pushtetit. /Alsat.mk