Skandali në spitalin e Tetovës, suspendohet nga puna anesteziologu

Skandali në spitalin e Tetovës, suspendohet nga puna anesteziologu

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Mjeku Valton Derivshi që shkaktoi skandal me kyçjen e drejtpërdrejtë nga sallat e Gjinekologjisë, u përjashtua nga puna. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, komisioni i Odës së mjekëve ka nisur edhe procedurën e marrjes së liçencës së punës. Mexhiti paralajmëron kontrolle të shtuara në të gjitha institucionet e shëndetësisë, ndërsa nga Prokuroria kërkon që rastet si ky i fundit të dënohen ashpër.

“Nuk flasim për suspendim, por flasim për largim nga marrëdhënia e punës, dhe personi është i arrestuar. Ne inkurajojmë edhe prokurorinë që këto raste të trajtohen deri në fund. Gjitha parregullsitë që do jenë dhe lëshimet, do të sanksionohen. Do ketë kontrolle të rrepta sa i përket sektorit të shëndetësisë. Tash e tutje shëndetësia nuk do jetë siç ka qenë”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Drejtori i Spitalit Pëllumb Vela i cili e ka denoncuar rastin në polici konfirmoi largimin e anesteziologut nga puna.

“Shprehi keqardhje për rastin e ndodhur në spitalin tonë. Dua të informoj se unë si drejtor me të marrë informacionin rastin e kam denoncuar në Policinë e Tetovës. Mandej në bisedë me Ministrit, unë dhe drejtori organizativ, sollëm vendim që këtij personi ti ndërpritet marrëdhënia e punës, sepse ka bërë edhe disa shkelje të orarit të punës”, tha Pëllumb Vela, Drejtor i Spitalit klinik Tetovë.

“Rreth orës 23e 0 minuta, pjesëtarë të Policisë nga SPB Tetovë, në fshatin Odri të Tetovës, kanë privuar nga liria personin V.D. 43 vjeç nga ky fshat, sepse paraprakisht ishte denoncuar nga drejtori i spitalit klinik të Tetovës se i njëjti, gjatë orarit të punës, në sallën e repartit të gjinekologjisë ka filmuar dhe lëshuar video direke gjatë marrjes së masave nga ana e personelit mjekësor ndaj pacientëve të këtij spitali. Personi në fjalë është mbajtur në SBP dhe për të njëjtin rast është njoftuar prokurori publik me çka pas dokumentimit të rastit, kundër tij do iniciohet parashtresë përkatëse”, deklaroi Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.

Mjeku i arrestuar për momentin ndodhet në stacionin policor në Tetovë ndërsa së shpejti pritet të dalë para prokurorit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button