Skena apokaliptike në Kaliforni, dhjetë viktima në zjarre

Skena apokaliptike në Kaliforni, dhjetë viktima në zjarre

Një duzinë njerëz kanë vdekur dhe mbi 300,000 janë zhvendosur me forcë për shkak të zjarreve të mëdha që digjen në Los Anxhelos prej disa ditësh.

Për shuarjen e zjarrit, i cili shkatërroi dhjetëra mijëra hektarë brenda pak ditësh, u mobilizuan 7500 zjarrfikës dhe u bashkuan rreth 400 pjesëtarë të gardës kombëtare. Në vetëm 3 ditë, 10,000 ndërtesa u dogjën, duke përfshirë disa mijëra shtëpi në Pacific Palisades, një lagje luksoze ku jetojnë yjet e famshëm të Hollivudit dhe që tani i ngjan një zone lufte.

“Ky është Harmagedoni. Unë jam duke vozitur nëpër një zonë lufte. Unë jam pa fjalë.. Jam i tronditur.. Jam shumë i trishtuar për komunitetin tonë të shkatërruar.”

“Kam 47 vjet që jam këtu. Unë jam rritur në këtë lagje… Kam shpëtuar nga zjarret e tjera, por nuk kam parë kurrë më parë diçka të tillë”.

Ndërkohë është raportuar për një zjarr të ri mes Los Anxhelosit dhe qytetit Ventura, i cili po i afrohet rrezikshëm banesave. E shtyrë nga erërat e forta, tashmë është prekur një sipërfaqe prej rreth 320 hektarësh. Krahas shërbimeve zjarrfikëse duart plot ka edhe policia. Të paktën 20 persona janë arrestuar në Los Angeles County për vjedhje gjatë zjarreve. Është ndaluar edhe një person për të cilin policia dyshon se ka shkaktuar qëllimisht njërin prej zjarreve.

“Drejtësia do të jetë e shpejtë dhe e pamëshirshme”. Do të kërkojmë dënimin maksimal. Ne duam të dërgojmë një mesazh të qartë. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për grabitje, mashtrim në internet, grabitje me armë apo zjarrvënie, drejtësia do të vihet në vend – Sherifi i Qarkut të Los Anxhelosit, Robert Luna.

Shtëpia e Bardhë thotë se qeveria do të ndihmojë të prekurit nga zjarri. Presidenti në largim, Joe Biden, premtoi se gjithçka që u shkatërrua në ditët e kaluara do të rikthehet.

“Qeveria do të mbulojë shpenzimet e transportit të mbetjeve, strehimin e përkohshëm për viktimat dhe do të merren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Sipas vlerësimit të kompanisë amerikane të shërbimeve financiare “JP Morgan”, humbjet ekonomike nga zjarret në kontenë e Los Angeles janë dyfishuar në 24 orët e fundit dhe tani janë afër 50 miliardë dollarë. Humbjet e siguruara vlerësohen të kalojnë 20 miliardë dollarë, një shifër që mund të rritet në varësi të kohës kur zjarret të vihen përfundimisht nën kontroll.

LEXO EDHE:

Back to top button