Snowden aplikon për shtetësinë ruse

Ish-kontraktori i Agjencisë për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Edward Snowden, tha se do të aplikojë për shtetësinë ruse, porse do ta mbajë edhe atë amerikane.

Snowden jeton në Rusi që nga viti 2013, kur edhe ka zbuluar detaje për programin sekret të SHBA-së për mbikëqyrje elektronike.

Në tetor, atij i është dhënë leja e përhershme e qëndrimit nga Qeveria ruse.

“Pas disa vitesh ndarjeje nga prindërit tanë, gruaja ime dhe unë nuk kemi dëshirë të ndahemi nga djali ynë”, shkroi Snowden në Twitter.

Ditë më parë, ai njoftoi se pret fëmijë me gruan e tij, Lindsay Mills.

“Lindsay dhe unë do të mbetemi amerikanë dhe do ta rrisim djalin tonë me të gjitha vlerat e Amerikës që e duam – përfshirë lirinë për të folur”, tha Snowden.

Rusia, së voni, i ka zbutur ligjet e shtetësisë, duke i mundësuar një individi ta fitojë shtetësinë ruse pa i kërkuar të heqë dorë nga shtetësia origjinale.

Snowden është akuzuar në SHBA për zbulimin e rreth 1.5 milion dokumenteve sekrete nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.

Nëse dënohet në SHBA, ai përballet me 30 vjet burgim.

LEXO EDHE:

Back to top button