Sondazh: Amerikanët më të lumtur me humbjen e Trumpit sesa me fitoren e Bidenit

Sipas një sondazhi, shumica e amerikanëve janë të lumtur që presidenti Donald Trump humbi për t’u rizgjedhur sesa që fitoi rivali i tij Joe Biden.

Sondazhi nga Universiteti Monmouth në New Jersey po ashtu zbuloi se shumica e amerikanëve kanë besim se zgjedhjet presidenciale të këtij muaji u zhvilluan në mënyrë të drejtë, edhe pse shumica e votuesve të Trumpit mendojnë se fitorja e Bidenit është për shkak të mashtrimit, transmeton Anadolu.

“Në përgjithësi, pak më shumë se gjysma e publikut amerikan është ose i lumtur (34 për qind) ose i kënaqur (18 për qind) për humbjen e Trumpit ndërsa gati 4 në 10 janë të pakënaqur (28 për qind) ose të zemëruar (10 për qind)”, sipas sondazhit.

“Gjithashtu, pak më shumë se gjysma janë ose të lumtur (25 për qind) ose të kënaqur (26 për qind) për fitoren e Bidenit, ndërsa pak më shumë se 4 në 10 janë të pakënaqur (29 për qind) ose të zemëruar (15 për qind)”, tregoi sondazhi.

Midis votuesve të Bidenit, 57 për qind thonë se janë të lumtur që zgjedhja e tyre fitoi, por edhe më shumë (73 për qind) janë të lumtur që Trump humbi.

Patrick Murray, drejtor i Institutit të Pavarur të Sondazheve të Universitetit Monmouth tha se zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit kishin të bënin gjithmonë me presidentin në detyrë.

Sipas sondazhit, ka ende ndarje të thella partiake pas zgjedhjeve.

Gjashtëdhjetë për qind e amerikanëve besojnë se demokrati Biden fitoi zgjedhjet në mënyrë të ndershme ndërsa 32 për qind thonë se ai e fitoi atë vetëm për shkak të mashtrimit të votuesve.

Sondazhi u zhvillua nëpërmjet telefonit nga 12-16 nëntor me 810 të anketuar.

LEXO EDHE:

Back to top button