Sot 87 vjet më parë është lindur simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi

Sot 87 vjet më parë është lindur simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi

Sot 87 vjet më parë është lindur simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi. Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi është lindur më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ka qenë veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi ka vuajtur 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi është liruar, ai menjëherë ka vazhduar aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi ka udhëhequr Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 është nderuar nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur janë mbajtur takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së.

Demaçi ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, është bërë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptar, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Adem Demaçi ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut”, i cili është ndaluar nga regjimi ish-komunist. Ai e ka parë dritën pas viteve nëntëdhjeta.

Adem Demaçi ka ndërruar jetë në pasditen e 26 korrikut të vitit 2018. Në nderim të tij, janë organizuar shumë aktivitete shtetërore si dhe janë mbajtur tri ditë zie në Kosovë. /KosovaPress/

LEXO EDHE:

Back to top button