Sot shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Epilepsisë

Çdo vit nё tё hёnёn e dytё tё muajit shkurt njerёzit mblidhen sё bashku tё njoftohen mbi problemet me tё cilat ballafaqohen personat qё vuajnë nga epilepsia dhe anёtarёt e familjeve tё tyre. Epilepsia është një sëmundje me së paku dy sulme epileptike që shkaktohen pa asnjë arsye. Krizat mund të shkaktojnë probleme në kontrollin e muskujve, në lëvizjen, të folurit, pamjen ose vetëdijen, kriza këto të cilat zakonisht nuk zgjatin shumë, por mund të jenë të frikshme.

Ekzistojnë një sërë faktorësh që mund të provokojnë sëmundjen, si: temperatura, traumat e kokës, infeksionet, pagjumësia. Epilepsia mund të shfaqet në çdo moshë. Shpeshherë epilepsia shkaktohet nga keqformimi i trurit te fetusi. Rritja e kujdesit para lindjes dhe zhvillimi i teknologjisë mjekësore bën që këto dëmtime të evidentohen qysh para se fëmija të lindë.

Për këtë arsye është e këshillueshme që gratë shtatzëna të kryejnë kontrolle periodike në mënyrë që problemet e fetusit të evidentohen në kohën e duhur dhe të merren masat e nevojshme. Ndryshe, në botë janë të prekur më shumë se 50 milionë njerëz, e kjo e bën këtë një problem të rëndësishëm në shëndetin publik.

LEXO EDHE:

Back to top button