Spaskovski: Janë zvogëluar hyrjet ilegale

Spaskovski: Janë zvogëluar hyrjet ilegale

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski në një intervistë për Televizionin Alsat thotë se gjatë vitit 2022 është rritur numri i emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe pse në ato zona nuk ka luftëra aktive. Sipas tij, njëra nga arsyet e emigracionit nga ato vende është edhe lufta Rusi-Ukrainë. Në gjashtë mujorin e parë janë evidentuar 53 raste të kontrabande, ndërsa 63 persona ndiqen penalisht. I pyetur nëse nëpër Maqedoni kalojnë emigrantë të cilët përfundojnë si vullnetarë luftë ne Rusi ose Ukrainë, për një gjë të tillë Spasovski i rezervuar thotë se shkëmbehen informacione. Nga shkurti deri në gusht policia ka parandaluar mbi 16 mijë tentativa për hyrje ilegale të emigrantëve. Pjesa dërmuese e tyre janë nga Siria, Pakistani dhe India.

Aktualisht nuk ka vatra lufte në Lindjen e Mesme, por interesi i emigrantëve nga ato zona është në rritje. A vepron Ministria e Punëve të Brendshme në identifikimin, legjitimimin dhe regjistrimin e tyre?

“Është fakt se në Lindjen e Mesme nuk kemi vatra aktive, megjithatë duhet ta dimë se zgjidhja e problemit të krizës duhet të jetë atje ku është burimi i krizës. Pra, pa dallim se nuk kemi vatra aktive, kemi shtete që janë të varfëruara, të shkatërruara nga lufta etj. dhe prandaj pjesa më e madhe e këtyre njerëzve vendosin ta lëshojnë vendin e tyre dhe të shkojnë në shtetet evropiane perëndimore. Në përgjithësi, tentimet te ne siç edhe e theksova janë të zvogëluara, megjithatë ka rritje të emigrantëve të cilët tentojnë, qoftë përmes Maqedonisë së Veriut apo do të shkojnë në ndonjë rutë tjetër qoftë Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja apo hyjnë në Bullgari përmes Serbisë, kemi trend të tillë të rritjes. E dyta, lidhur me rritjen e migrimit ndikon edhe lufta në Ukrainë sepse shumë shtetas ukrainas kërkojnë strehim në ndonjë shtet tjetër. Kemi diku rreth 53 raste të zbuluara të kontrabandës së emigrantëve dhe janë ndërmarrë masa penale për 62 persona nga të cilët 15 janë shtetas të huaj. Sa i përket regjistrimit dhe identifikimit, pra çdo person që tenton të futet në mënyrë ilegale në Maqedoninë e Veriut apo persona që bëjnë i kontrabandojnë menjëherë pas përfundimit të procedurës dërgohen në qendrat e transitit dhe atje përmes sistemeve çdonjëri nga ato persona evidentohet, i merren të dhënat biometrike dhe futen në bazën e të dhënave”, tha Oliver Spasovski.

Jozyrtarisht, bëhet e ditur se gjatë muajit gusht, të paktën 1000 emigrantë nga Lindja e Mesme kanë kaluar ilegalisht territorin tonë, duke kaluar kufirin me Republikën e Serbisë. A është dokumentuar ky rast, a është zbardhur dhe çfarë masash janë marrë?

“Të gjitha rastet që janë zbuluar sepse nëse nuk do të ishin zbuluar nuk mund ta dimë as numrin. Pra të gjithë që janë zbuluar ato janë evidentuar dhe gjenden në sistemin e kontrollit të udhëtarëve dhe automjeteve dhe më tej janë pjesë e analizave që i bën MPB”, shtoi Spasovski.

Një numër i madh i emigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme janë persona me precedentë penalë, sipas raportimeve të institucioneve ndërkombëtare. A janë marrë masa që ata të mos nxisin konflikte në vendin tonë?

“S’mund të konstatohen se shumica e këtyre njerëzve që tentojnë të tranzitojnë nëpërmjet kësaj rute kanë dosje kriminale. Nëse pyesim a ka persona me dosje kriminale, themi që ka. Nëse e shohim se në pjesën më të madhe të rasteve të kontrabandimit me emigrantë çdoherë kemi persona që vijnë nga këto vende dhe që praktikisht hyjnë në rrjetin e kontrabandistëve me emigrantë. Vet fakti flet se ka persona që kanë dosje kriminale, mund të konstatojmë se deri më tani në gjithë vitet e fundit, edhe në vitin 2015-16 kur kaluan mbi 1,1 milion njerëz, nuk kemi pasur incident serioz që është shkaktuar që të rrezikohet siguria e shtetit”, deklaroi Spasovski.

Keni informacion se njëri prej tyre, në vend që të përfundonte në vendet e Evropës Perëndimore, mund të kishte përfunduar si luftëtar vullnetar në Rusi apo Ukrainë?

“Nuk ekzistojnë tentime që nga territori i Maqedonisë së Veriut të rekrutohen kudo qoftë. Kjo është punë me përkushtim nga shërbimet kufitare që i kemi në përgjithësi nga policia maqedonase, BSP, që të bëjmë çmos deri në detajin e fundit që të analizohen të dhënat që i marrim, që mos ta rrezikojmë stabilitetin dhe sigurinë tonë, nëpërmjet hyrjes së personave që mund të shkaktojnë incidente të caktuara ndërsa nëse ekzistojnë çfarëdo tregues për persona të caktuar, që tentojnë në mënyrë ilegale të hyjnë ose që janë pjesë e këtyre rrjeteve të kontrabandimit të emigrantëve, gjithashtu këto informacione në kohë i ndajmë me agjencitë ndërkombëtare, me partnerët tanë, që të parandalohet çfarëdo përpjekje për prishjen e sigurisë tonë nacionale, rajonale dhe globale”, deklaroi Spasovski./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button