Spasovski: MPB-ja ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me Prokurorinë për Krim të Organizuar

Spasovski: MPB-ja ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me Prokurorinë për Krim të Organizuar

Gazetar: Lluka Andreev

Ministria e Punëve të Brendshme gjithmonë ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar, thotë ministri Oliver Spasovski, shkruan Alsat.

Ai i mohon informacionet që u publikuan në disa media se në rastin e kësaj Prokurorie, për Stacionin e kontrollit teknik ku ishte kontrolluar autobusi i Besa-trans, Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka dorëzuar të gjitha materialet e kërkuara. Ky është pikërisht një nga rastet e iniciuara nga prokurorja Villma Ruskovska, e cila aktualisht është e pezulluar. Dyshohet se është sugjeruar mbyllja e stacionit për shkak të parregullsive të konstatuara ndërsa pikërisht në të është regjistruar autobusi i Besa Trans që morri flakë në Bullgari. Stacioni u mbyll pas tragjedisë.

“Gjithçka që duhet është në Prokurori dhe ato materiale janë dorëzuar, kështu që nuk bëhet fjalë për fshehje të dokumenteve apo ndonjë gjë… Përkundrazi, gjithçka që është kërkuar është dorëzuar në Prokurorinë Publike”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Rasti i dytë i Ruskovskës, fati i së cilës është ende i paqartë, është ai për punën në Drejtorinë e Policisë Financiare, e cila në fakt nxiti vendimin për pezullimin e prokurores. Pasi prokurori publik Ljubomir Joveski konstatoi një sërë parregullsish në bastisjen që Ruskovska e ka bërë në Drejtorinë në fjalë, drejtori i atëhershëm i Policisë Financiare, Arafat Muaremi, dorëzoi kallëzim penal kundër saj. Për shkak të kallëzimit, Joveski e pezulloi Ruskovskën nga puna dhe shumë ekspertë e konsiderojnë këtë përplasje si goditje të rëndë për funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, vendosi të mos komentojë për marrëdhëniet Joveski-Ruskovska dhe tha se pret zgjidhje institucionale. Lidhur me deklaratën e Ruskovskës për presione të mundshme, ai i bëri thirrje që të ngrejë kallëzim.

“Ka një mënyrë për të reaguar dhe duhet bërë në mënyrë institucionale. Nëse ushtrohet presion, dihet se kush duhet të alarmohet apo kujt duhet t’i dërgohet informacioni – pse presion, kush ushtron presion, sa është ai presion… Sepse forma të caktuara të presionit paraqesin një segment të shpërdorimit të detyrës”, tha Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Lidhur me pezullimin, Ruskovska deklaroi se nuk është pezullim ndaj saj, por pezullim i ligjit dhe drejtësisë. Këshilli i prokurorëve publikë nesër do të vendosë për ankesën e saj kundër vendimit të Joveskit. Ndërkohë, nga pushimi vjetor pritet që të kthehet zëvendësja e Ruskovskës, prokurorja Ivana Trajçeva, e cila duhet t’i rishpërndajë lëndët për Policinë Financiare dhe Stacionin e kontrollit teknik./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button