Spasovski: Policia sekuestroi 1,6 ton marijuhanë
Gazetar: Adrian Kerimi
Policia sekuestroi 1,6 ton drogë të llojit marijuhanë, vlera të cilës në treg arrin deri në 3,2 milionë euro. Janë zhvilluar dy aksione, njëri në Strumicë dhe tjetri në Resnjë, shkruan Alsat.
I pari në një kompani të certifikuar për përpunimin e kanabisit mjekësor. Janë gjetur bimë të fazave të ndryshme, lule, gjeth dhe lëndë bazë për kultivim të gjitha të padeklaruara. Sipas burimeve të Alsat bëhet fjalë për Kompaninë “Solidis Herbal” nga Strumica, e certifikuar me vendim të Qeverisë më 28 dhjetor 2019 për përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Sasia e gjetur është konfiskuar, ndërsa ndaj subjektit do të ndërmerren masa në përputhje me ligjin.
“Janë zbatuar kontrolle në një subjekt i certifikuar për përpunimin e kanabisit të paraparë për qëllime mjekësore. Për shkak të konstatimeve për punë jo të rregullt është konfiskuar marijuhanë e padeklaruar me vlerë prej 3 milion euro, përkatësisht mbi 1 ton e gjysmë”, deklaroi Oliver Spasovksi, Ministër i Brendshëm.
Në aksionin e dytë të policisë janë kapur dy trafikantë. Në veturën e tyre janë gjetur 50 kilogramë marijuhanë, vlera e të cilës arrijnë deri në 200 mijë euro. Policia ka ngritur kallëzim penal për dy persona mbi dyshimet për veprën penale “tregti e paligjshme me lëndë narkotike”. /Alsat.mk








