“Specializantët privat veshin uniformën dhe marrin valigjen për ta braktisur vendin” – Kjo ishte protesta e tyre sot
“Specializantët privat veshin uniformën dhe marrin valigjen për ta braktisur vendin” – Kjo ishte protesta e tyre sot

Gazetar: Adnan Qaili
Qindra specializantë privatë të veshur me mantel të bardhë por edhe me valixhe për të braktisur vendin, u mblodhën para Ministrisë së Shëndetësisë, shkruan Alsat.
Kjo formë e protestës vjen nga pakënaqësitë e mos pagesave dhe në formë simbolike biletat njëdrejtimësh i fusnin në një kuti votimi.
Me këtë paralajmëruan shtetin se nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, do të ikin nga vendi. Specializantët privatë thonë se prej sot ndërpresin grevën dhe do të kthehen në vendet e punës që të mos e pësojnë pacientët, por kjo nuk do të thotë se dorëzohen.
Çdo të martë gjatë kohës së pauzës do të protestojnë për të njëjtin qëllim.
“Kemi statistika se rreth 70% e studentëve të mjekësisë, në mënyrë aktive mësojnë dhe e njohin gjuhën gjermane, e kjo nuk është rastësi, por bëhet fjalë për një plan migrimi sepse e shohin një ardhmëri të pashpresë në vendlindje. Nëse marrim parasysh statistikat e Shoqatës së mjekëve ku thuhet se mbi 250 mjekë në vit ikin nga vendi, e kjo është e barabartë me studentët që regjistrohen në fakultetet e Maqedonisë. Kjo domethënë se punojmë me të ashtuquajturën zero pozitive, pra prodhojmë aq mjekë sa edhe migrojnë”, tha Aleksandra Georgieva – lidhja e mjekëve dhe specializantëve.
Specializantët privatë thonë se kishin kërcënime nga profesorë doktorët që të mos dalin të protestojnë.
Rreth 400 specializantë privatë ishin në grevë dhe nuk u paraqiten në punë.
Ata janë të revoltuar për shkak se nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor dhe kërkojnë rritje të kompensimit mujor, i cili tani arrin në 26.000 denarë, i njëjti të jetë në nivelin e pagës mesatare të mjekut në institucionet publike shëndetësor, si dhe zgjidhjen e statusit të tyre si persona të papunë./ Alsat.mk