Stafit diplomatik të BE-së i hapet drita jeshile për vaksinimin me Sputnik V

Bashkimi Europian ka lejuar që diplomatët e tij përfaqësues në Rusi të vaksinohen, nëse duan, me vaksinën e prodhimit rus, Sputnik V, edhe pse kjo vaksinë nuk është miratuar nga rregullatorët e bllokut të 27 vendeve, sipas radios ”Europa e lirë”.

Në një e-mail të dërguar nga një zyrtar i rëndësishëm i delegacionit të BE-së në Moskë, më 3 shkurt, me titull “Vaksina Covid-Kërkesë urgjente për reagim”, stafi u informua se autoritetet ruse kishin vendosur të “shtrinin fushatën e vaksinimit COVID gjithashtu edhe te trupi diplomatik, i organizuar nga qyteti i Moskës “.

Në e-mail shtohet se ”autoritetet po mbledhin të dhëna për stafin e misionit diplomatik ose anëtarëve të familjeve të tyre mbi 18 vjeç, të gatshëm të vaksinohen”.

Vaksina Sputnik V nuk përmendet askund qartë në tekst, por në e-mail thuhet se autoritetet ruse “nuk po specifikojnë vaksinën që do të përdoret” dhe se “më shumë informacion se ku dhe si do të ndodhte vaksinimi do të dërgohen më vonë”.

“Ne jemi këshilluar që ky është një vendim personal i secilit, por nuk përbën një detyrë  për të rekomanduar ndonjë vaksinë që nuk është miratuar nga EMA. Prandaj, delegacioni nuk mund të rekomandojë në mënyrë aktive, por po ia lë çdo individi për të vendosur”, thuhej në e-mail.

Deri tani, Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ka miratuar vetëm tri vaksina, Pfizer/BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca.

LEXO EDHE:

Back to top button