Stamboll, protestohet kundër trajtimit të ujgurëve myslimanë në Kinë

Qindra demonstrues dolën në rrugët e Stambollit të enjten për të protestuar ndaj trajtimit që Kina po u bën ujgurëve myslimanë në Ksinjiang, raporton AFP.

Rreth 500 njerëz u mblodhën në sheshin e qytetit, duke mbajtur fotografi të familjeve të tyre të zhdukura dhe pankarta ku shkruante: “Ku është familja ime?”, “Lironi familjen time” dhe “Mbyllni kampet e përqendrimit!”

Grupi i protestuesve bëri thirrje për t’i dhënë fund shtypjes në rajonin veriperëndimor të Kinës – ku më shumë se një milion ujgurë dhe banorë të tjerë kryesisht myslimanë turqishtfolës besohet se mbahen në kampe.

Kina po mban qindra qendra ndalimi në veriperëndim të Ksinjiangut, një numër shumë më i lartë nga sa mendohej më parë, sipas një hulumtimi të paraqitur muajin e kaluar nga Instituti për Politika Strategjike i Australisë.

Numri i qendrave është rreth 40 për qind më i lartë se vlerësimet e mëparshme, përkundër pretendimeve të Kinës se shumë ujgurë janë lëshuar, tha hulumtimi.

Pekini ka mohuar ekzistencën e qendrave të paraburgimit.

Qeveria thotë se ato janë qendra të formimit profesional që përdoren për t’iu kundërvënë ekstremizmit.

Ujgurët janë bashkësia më e madhe indigjene turqishtfolëse në Ksinjiang, e pasuar nga kazakët.

Shumë prej tyre janë vendosur në kampe nga regjimi kinez qysh në vitin 2017.

Ka dëshmi se në kampe ushtrohet torturë, përdhunime dhe abuzime të tjera.

LEXO EDHE:

Back to top button