Starmer shpall koalicionin që do të garantojë paqen në Ukrainë
Starmer shpall koalicionin që do të garantojë paqen në Ukrainë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer shpalli një plan me katër pika për të punuar me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës dhe për të mbrojtur vendin nga Rusia.
“Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vende të tjera do të shtojnë përpjekjet e tyre në një “koalicion” dhe do të kërkojnë të përfshijnë SHBA-në në mbështetjen e tyre për Ukrainën”, tha ai të dielën pasi thirri një samit të 18 liderëve, kryesisht nga Evropa, përfshirë këtu dhe presidentin Volodymyr Zelensky.
“Ne jemi në një udhëkryq në histori sot,” tha Starmer pas samitit ndërsa Zelensky shtoi se Kievi ndjeu “mbështetje të fortë” dhe samiti tregoi “unitetin evropian në një nivel jashtëzakonisht të lartë që nuk është parë për një kohë të gjatë”.
Ky samit vjen dy ditë pas përballjes së ashpër mes liderit ukrainas dhe presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne të gjithë po punojmë së bashku në Evropë për të gjetur një bazë për bashkëpunim me Amerikën për një paqe të vërtetë dhe siguri të garantuar”, tha Zelensky.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron i tha gazetës Le Figaro se Parisi dhe Londra donin të propozonin një armëpushim njëmujor midis Rusisë dhe Ukrainës “në ajër, në det dhe në infrastrukturën energjetike”.
Duke folur në një konferencë shtypi menjëherë pas takimit të liderëve, Starmer tha se katër pika që ishin rënë dakord janë:
1-Vijimi i ndihmës ushtarake në Ukrainë dhe shtimi i presionit ekonomik ndaj Rusisë
2- Çdo paqe e qëndrueshme duhet të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës dhe Ukraina duhet të jetë e pranishme në çdo bisedim paqeje.
3-Në rast të një marrëveshjeje paqeje, duhet rritur aftësia mbrojtëse e Ukrainës për të penguar çdo pushtim të ardhshëm.
4- Krijimi i një “koalicioni të të gatshëmve” për të mbrojtur një marrëveshje në Ukrainë dhe për të garantuar paqen më pas.
Kryeministri nuk deklaroi se cilat vende kanë rënë dakord për t’iu bashkuar këtij koalicioni, por tha se ata që janë angazhuar do të intensifikojnë planifikimin me urgjencë reale.