Sipas të dhënave nga raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), infertiliteti prek çdo të gjashtën person në planet.
Pothuajse 17,8 për qind e të rriturve në vendet me të ardhura të larta janë të prekur nga infertiliteti, ndërsa në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, 16,5 për qind e banorëve vuajnë nga ky problem. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, përqindja e njerëzve të prekur nga problemi tregon nevojën për të zgjeruar aksesin në kujdesin shëndetësor riprodhues dhe për të siguruar që problemi të mos lihet më jashtë kërkimeve dhe politikave shëndetësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon infertilitetin si një sëmundje të sistemit riprodhues te burrat dhe gratë, e karakterizuar nga dështimi për të arritur shtatzëninë pas 12 muajsh ose më shumë të marrëdhënieve të rregullta të pambrojtura.
“Kjo mund të çojë në shqetësime të konsiderueshme, stigma dhe vështirësi financiare, duke ndikuar në mirëqenien mendore dhe psikosociale,” thotë OBSH.
Parandalimi, diagnostikimi dhe trajtimi i infertilitetit mbeten të pafinancuara dhe të paarritshme për shkak të kostove të larta, stigmës sociale dhe aksesit të kufizuar, thuhet në raport.
OBSH i nxori përfundimet bazuar në përzgjedhjen dhe analizën e 133 studimeve nga gjithsej rreth 12,000 studime në mbarë botën në periudhën 1990-2021.








