“Statuja Bitcoin”, nderohet themeluesi misterioz

Në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest të enjten u zbulua statuja impozante prej bronzi, për të cilën autorët e saj thonë se është e para në botë që i bën homazh krijuesit anonim të monedhës dixhitale Bitcoin.

I ngritur në parkun e biznesit pranë lumit Danub në Budapest, busti qëndron në majë të një bazamenti prej guri të gdhendur me emrin e Satoshi Nakamoto, pseudonimi i zhvilluesit misterioz të Bitcoin, identiteti i vërtetë i të cilit nuk dihet.

“Ne mendojmë se Satoshi është babai themelues i të gjithë industrisë së kriptomonedhave”, tha Andras Gyorfi, gazetar i Bitcoin dhe nismëtar i projektit. “Ai krijoi Bitcoin, ai krijoi teknologjinë blockchain, ai është perëndia i tregut tonë”, tha ai.

Fytyra pa tipare e bustit, e mbështjellë me një kapuç prej bronzi të stolisur me logon Bitcoin, është jashtëzakonisht e lëmuar duke e bërë atë reflektuese si një pasqyrë në të cilën shikuesit mund të shohin veten.

Autorët e saj, skulptorët Reka Gergely dhe Tamas Gilly, u përpoqën të portretizojnë një formë njerëzore, duke i qëndruar besnik anonimitetit të Nakamoto-s.

“Ishte një sfidë e madhe. Është shumë e vështirë të bësh një skulpturë portreti të një personi që ne nuk e dimë saktësisht se si duket”, tha Gilly. “Shpresoj se përmes gjuhës së skulpturës kam arritur të përcjell idenë themelore të Bitcoin, që i përket çdokujt dhe askujt në të njëjtën kohë”, tha ai.

Bitcoin u krijua në vitin 2008 në vazhdën e krizës financiare globale dhe synonte të anashkalonte institucionet financiare tradicionale duke zhvilluar teknologji të sigurt për transaksionet në internet të personave të barabartë pa përdorur bankat si ndërmjetësues.

Dokumenti i bardhë themelues i saj i publikuar atë vit u shkrua nga Nakamoto, pseudonimi i cili mund t’i referohej një personi ose grupi njerëzish me gjini, moshë ose origjinë të panjohur kombëtare.

Organizatorët e projektit të statujës e ftuan Nakamoton në zbulim, tha Gyorfi me shpresën për të mësuar përfundimisht identitetin e vërtetë të shpikësit të Bitcoin.

Por, megjithëse ngjarja tërhoqi disa qindra njerëz, askush nuk doli për të marrë përgjegjësinë për zbulimin e kriptomonedhës që ka tërhequr dhjetëra miliona investitorë dhe u miratua këtë muaj si monedhë legale në El Salvador.

Gyorfi tha se statuja është një shenjë respekti për Nakamoton dhe një përpjekje për të “rritur ndërgjegjësimin ndaj blockchain dhe kriptovalutave”.

Së bashku me entuziastët e tjerë hungarezë të Bitcoin, ai mblodhi rreth 10 mijë dollarë donacione në kriptovaluta për të financuar gdhendjen e bustit.

Por, kjo u desh të konvertohet në monedhë hungareze tha ai sepse “për fat të keq skulptorët dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve nuk e pranojnë ende Bitcoin”.

LEXO EDHE:

Back to top button