Stavreski, Slavevski dhe Bezhovska – kandidatët më seriozë për guvernator

Stavreski, Slavevski dhe Bezhovska – kandidatët më seriozë për guvernator

Gazetar: Mihaillo Donev

Të martën e ardhshme, Maqedonia do të ketë guvernator të ri.

Propozimi ende nuk është dërguar në Kuvend, por në opinion tashmë po spekulohet me emra, dhe në garën më të ngushtë janë dy ish-ministrat e financave Zoran Stavreski dhe Trajko Sllavevski, si dhe guvernatorja aktuale Anita Angellovska Bezhovska, e cila pritet të hyjë në garë për mandat të dytë.

Stavreski është i njohur mirë për opinionin. Ai ishte pjesë e Qeverisë së Nikolla Gruevskit, ndërsa më parë ka punuar në Bankën Botërore. Gjithashtu, Stavreski ishte pjesë e të ashtuquajturave “bomba”, pra bisedave telefonike të përgjuara që dikur i publikoi lideri i atëhershëm i LSDM-së, Zoran Zaev me thënien e famshme “nuk kemi për bukë, shpenzojmë për çokollata”.

Stavreski erdhi në postin e ministrit të financave në vitin 2009, pikërisht si pasardhës i Trajko Sllavevskit, kundërkandidatit të tij për pozicionin e guvernatorit. Sllavevski aktualisht është kryesues në Këshillin e Qytetit të Shkupit, ndërsa për këtë temë së fundmi deklaroi publikisht se gjoja nuk ishte konsultuar, por nëse i vjen një propozim, do të shqyrtojë mundësinë.

Kryeministri Mickoski një ditë më parë nuk deshi të zbulojë se kush është favoriti i tij për guvernator të ri, por tha se të gjithë kandidatët që po shqyrtohen janë jashtëzakonisht të mirë dhe me përvojë në këtë fushë. Për emrat që po përmenden në opinion, me kritika ka reaguar opozitarja BDI.

Sipas opozitës shqiptare, është problematike që nuk ka asnjë kandidat shqiptar për këtë pozitë, edhe pse kur ata ishin në pushtet me shumicë votash guvernatore u zgjidh Bezhovska.

Mandati i Bezhovskës skadon më 21 maj, ndërsa ajo ishte zgjedhur me mbështetjen e të gjithë deputetëve në vitin 2018. Banka Popullore e zbaton politikën monetare dhe kujdeset për inflacionin dhe kursin e denarit, ndërsa mandati i guvernatorit zgjat shtatë vjet. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button