Stefanoviç: Beogradi nuk do të tolerojë nënçmimin e serbëve

Një javë pas bllokadave në veri të Kosovës dhe incidenteve të një dite më parë, situata raportohet e qetë në vendkalimet kufitare me Serbinë, Bërnjak dhe Jarinjë. Mediat raportojnë se në mëngjes janë paraqitur edhe dy avion ushtarak në territorin serb, në afërsi të vijës kufitare me Kosovën. Pas situatës së krijuar në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të shtunën mbrëma u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë. Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar për koordinimin e mëtejmë të veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikata për media. Gjatë ditës kryeministri Kurti ka zhvilluar takim me dy liderët opozitarë, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Memli Krasniqin e PDK-së. Mediat vendase raportojnë për unitet politik në raport me situatën e krijuar në veri. Nga ana tjetër, njeriu i dytë i Qeverisë serbe dhe ministër i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç nga baza luftarake “Rudnica” ka kërkuar ndërhyrjen e BE-së në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të arritur në vitin 2013. Stefanoviç ka deklaruar se vizita e tij në bazat luftarake ka për qëllim përmbushjen e kërkesave të presidentit serb Aleksndar Vuçiq i cili ka kërkuar gatishmëri policore dhe ushtarake për situatën në veri.

Jemi këtu për të përmbushur urdhrin e presidentit për të qenë të gatshëm për mos të lejuar më tutje nënçmimin e serbëve. Dikush t’i vret dhe dëmton serbët dhe në të bëjmë sehir, nuk do të ndodhë. Mesazhi jonë është se duam stabilitet dhe paqe në rajon. Edhe pse kemi nënshkruar marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013 për prosperitet dhe stabilitet për dyja palët, shihet qartë se Prishtina nuk e do një gjë të tillë. Tani është radha e faktorit ndërkombëtar dhe BE-së si garantuese e marrëveshjes”, tha Nebojsha Stefanoviç, ministër i Mbrojtjes në Serbi.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë përmes një reagimi ka kërkuar tërheqjen e forcave serbe nga kufiri me Kosovën dhe zgjidhjen e problemeve me dialog. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se situata në veri të Kosovës duhet të deeskalon menjëherë. Sipas tij dyja palët duhet të gjejnë mënyrën për të biseduar në Bruksel dhe për të gjetur daljen nga kjo situatë. Mbrëmë kryeministri i Kosovës, Kurti ka publikuar në Facebook të dhëna për shtetas të Malit të Zi, të përfshirë në aktivitete kriminale prej vitesh dhe që sipas tij kanë lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë, ndërsa në Kosovë kanë ardhur me qëllim të caktuar.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button