Stoltenberg: Kina të përballet me pasojat e mbështetjes ndaj Rusisë
Stoltenberg: Kina të përballet me pasojat e mbështetjes ndaj Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kina e ka ndihmuar Rusinë me teknologji që po e zgjat pushtimin rus të Ukrainës dhe i bëri thirrje Pekinit të përballet me pasojat e kësaj mbështetjeje. “Pekini nuk mund të ketë të dyja anët. Në një moment – dhe nëse Kina nuk ndryshon kursin – aleatët duhet të imponojnë një kosto. Duhet të ketë pasoja,” tha Stoltenberg në Qendrën Uilson në Uashington. Sipas tij në dy vitet e fundit 90 për qind e mikroelektronikës ruse e kishte origjinën në Kinë dhe se ky vend po punon për të përmirësuar aftësitë satelitore ruse. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë “tema më urgjente” për diskutim në samitin e NATO-s që do të mbahet nga 9 deri më 11 korrik, së bashku me shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s. Megjithëse Ukraina nuk do të bëhet anëtare e aleancës në samitin e Uashingtonit, Stoltenberg tha se NATO do të “ndërtojë një urë” për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës.
“Do të marrim vendime të rëndësishme për Ukrainën. Unë pres që NATO të marrë rol udhëheqës në ofrimin e ndihmës dhe trajnimit dhe gjithashtu aleatët të ofrojnë më shumë mbështetje ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Për aq kohë sa Putin beson se ai mund të fitojë në fushën e betejës, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. /Alsat.mk