Strugë-Ohër: Ministria pritet të vendosë për rikthimin e spitaleve modulare
Gazetar: Miki Trajkovski
Deri në shtator të këtij viti do të vihet përsëri në funksion Spitali Modular në Strugë, i ndërtuar gjatë pandemisë së Covid-it. Aktualisht po punohet në zëvendësimin e plotë të instalimit elektrik, po ndërtohen mure të reja ndarëse me çka krijohen hapësira për ambulanca të reja. Aty do të funksionojë reparti infektiv me pjesë për pacientë të shtruar, si dhe repartet për gastroskopi dhe kolonoskopi, pasi hapësirat ekzistuese nuk kanë qenë të përshtatshme.
“Projektet janë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe presim edhe ndihmën e tyre. Këtu do të ketë repart infektiv, gastroenteroskopi dhe farmacinë spitalore, si dhe arkivin. Me zhvendosjen e tyre në atë pjesë, do të lirohen ambulanca të reja për subspecialistët që kemi, e të cilët aktualisht nuk kanë hapësirë të përshtatshme për punë”. – Vlladimir Bunçevski-drejtor i Spitalit të përgjithshëm Strugë.
Edhe në Ohër planifikojnë ta vënë sërish në funksion spitalin modular.
“Bëhet fjalë për një objekt prej rreth 690 metrash katrorë, i cili është në gjendje të mirë. Kam kryer disa herë inspektim të objektit. Problemi kryesor është kondensimi që krijohet në spitalin modular, dhe ka edhe disa kritere të tjera në lidhje me instalimet e ujit dhe çatinë dhe dyshemenë, të cilat duhet t’i riparojmë si spital, në mënyrë që të marrim leje për përdorimin e spitalit modular”. – Goran Markoski drejtor i Spitalit të përgjithshëm Ohër.
Markoski thotë se spitali modular është më se i nevojshëm për punën e tyre. Në të planifikojnë të zhvendosin pjesën ambulatore, një pjesë të administratës, si dhe disa prej reparteve që kanë kryer veprimtari vetëm në turnin e parë dhe të dytë. Por për momentin, ai thotë se nuk kanë marrë ende miratim, përkatësisht leje për përdorim nga Ministria e Shëndetësisë, me arsyetimin se objekti ende nuk ka pranimin teknik, përkatësisht se ka funksionuar pa leje. /alsat.mk








