Studentët protestojnë në Prishtinë pas aktgjykimit në Hagë: “Jo në emër të studentëve”

Një ditë pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Prishtinë është zhvilluar një protestë me pjesëmarrjen e studentëve dhe qytetarëve.

Protesta nisi në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa pjesëmarrësit marshuan nëpër qendër të kryeqytetit duke mbajtur flamuj dhe pankarta në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në mesin e mesazheve të shfaqura ishin “Jo në emër të studentëve”, “Justice for KLA is justice for Kosovo” dhe “Nuk ka gjyq që ju gjykon në emër të popullit. Të pafajshëm përgjithmonë!”.

Gjatë protestës u dëgjuan edhe thirrjet “UÇK, UÇK, UÇK”, ndërsa protestuesit kërkuan që procesi gjyqësor të vazhdojë në Gjykatën e Apelit.

Përfaqësuesi i studentëve, Ilir Cani, tha se aktgjykimi është ndikuar politikisht dhe, sipas tij, nuk përfaqëson drejtësinë. Ai u shpreh se përgjegjësia për luftën në Kosovë duhet të shihet në kontekstin e agresionit të Serbisë dhe theksoi se protesta e organizuar në Prishtinë është paqësore.

“Liri çlirimtarëve, rroftë UÇK-ja, rroftë kombi shqiptar”, deklaroi Cani, duke shtuar se vendimi, sipas tij, është marrë nën ndikim politik. Ai paralajmëroi gjithashtu protesta më të mëdha në rast se nuk ka zhvillime të reja në procesin gjyqësor.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u shpall një ditë para protestës, me katër ish-krerët e UÇK-së që u dënuan me një total prej 81 vjetësh burgim.

Protesta në Prishtinë u shoqërua me mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje për të akuzuarit, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kërkuan që çështja të shqyrtohet edhe në instancat e tjera gjyqësore. Ngjarja tërhoqi vëmendje në qendër të kryeqytetit, ku studentët dhe qytetarët shprehën qëndrimet e tyre përmes pankartave, marshimit dhe thirrjeve publike./Telegrafi.com

LEXO EDHE:

Back to top button