Studimi i ri: Mjalti manuka parandalon rritjen e qelizave të kancerit të gjirit për 84%

Studimi i ri: Mjalti manuka parandalon rritjen e qelizave të kancerit të gjirit për 84%

Mjalti në përgjithësi e posaçërisht ai i njohur me emrin manuka, ofron shumë të mira shëndetësore.

Së fundmi shkencëtarët kanë gjetur se lloji i mjaltit manuka ndikon për të mirë te kanceri i gjirit duke zvogëluar mundësinë e zgjerimit të qelizave kancerogjene.

Mjalti manuka krijohet nga bletët që ushqehen me nektarin e lules së pemës manuka që gjendet në Zelandë të Re dhe Australi. Ky lloj mjalti, në mënyrë të sofistikuar mbyt qelizat kancerogjene, shkruan Menaged Healthcare.

Në studimin që u publikua në gazetën “Nutrients”, shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë kanë gjetur se mjalti manuka redukton deri në 84 për qind rritjen e tumorit te minjtë, pa i dëmtuar qelizat normale të gjirit apo pa shkaktuar efekte anësore.

Mendohet se ky mjaltë është unik krahasuar me llojet e tjera të mjaltit për shkak të komponimeve të veçanta kimike që përmban.

Mjalti manuka ka veti shumë të fuqishme antibakteriale dhe ka fuqi të mbrojë organizmin nga sëmundje si fibroza cistike.

“Gjetjet, sigurojnë shpresë për zhvillimin e një terapie më natyrale se kimioterapia”, ka thënë doktoresha Diana Marques-Garban, nga Universiteti i Kalifornisë.

Ani pse duhet bërë ende studime që të dihen të gjitha të mirat shëndetësore të komponimeve natyrale që mund të përdoren si terapi kundër kancerit, Garban ka shtuar se ky studim siguron një lloj baze të mirë për zgjerimin e mëtutjeshëm të gjetjeve që do të bëhen në këtë fushë.

Qelizat kancerogjene te kanceri i gjirit, përdorin estrogjenin për t’u rritur. Për ta ndaluar tumorin, pacientët me kancer të gjirit, marrin terapi për bllokimin e estrogjenit si mënyrë jotoksike për ta ndaluar rritjen e qelizave të këqija.
Sidoqoftë disa tumore kancerogjene mund t’u rezistojnë këtyre trajtimeve, duke e lënë kimioterapinë si alternativën e vetme.

Gjatë eksperimentimit me qelizat kancerogjene te njeriu, studiuesit gjetën se përgjigjja më e mirë kundër kancerit ishte mjalti manuka, pasi përmban bllokues natyralë të estrogjenit. Në këto rrethana, përdorimi i mjaltit pati fuqi të zvogëlonte dukshëm zgjerimin e qelizave kancerogjene.

Gjetjet e studimit tregojnë se mjalti manuka në të ardhmen do të mund të përdoret si terapi natyrale kundër rritjes së qelizave kancerogjene.

Mjalti duhet të kalojë në disa faza testuese në ministrinë përkatëse në Zelandë të Re, në mënyrë që të dihet se a i përmbushë standardet e kërkuara.

LEXO EDHE:

Back to top button