Stuhi e fuqishme me breshër godet Zvicrën
Një stuhi e fuqishme me breshër ka goditur pjesë të Zvicrës perëndimore dhe veriperëndimore, duke shkaktuar dëme të shumta, ndërprerje të energjisë dhe probleme në transport. Sipas autoriteteve brenda një kohe të shkurtër janë regjistruar rreth 46 mijë shkarkime rrufesh, ndërsa në disa zona breshëri arriti deri në 6 centimetra diametër. Në kantonin Shafhausen u regjistruan erëra deri në 142 kilometra në orë, ndërsa në Hallau ranë 23 milimetra shi brenda vetëm 10 minutash. Kantoni i Soloturnit ishte ndër zonat më të goditura. Autoritetet morën mbi 200 raportime për dëme. Stuhia shkaktoi gjithashtu incidente në rrugë. Moti ekstrem shkaktoi ndërprerje të energjisë në disa zona të kantonit Argau, ndërsa trafiku hekurudhor u prek rëndë. Fronti i stuhisë u zhvendos drejt lindjes, duke përfshirë zonat e Cyrihut dhe Shafhausenit. Meteorologët paralajmëruan për reshje të tjera dhe stuhi të forta në pjesë të vendit./Alsat.mk.








