Sulm i ri ndaj policisë së Kosovës në veri

Sulm i ri ndaj policisë së Kosovës në veri

Gazetare: Arta Tahiri

Policia e Kosovës tha se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm kanë ndodhur dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale, shkruan Alsat.

Sipas policisë, dyshohet se shpërthimet kanë ndodhur pranë një veture të policisë, ndërsa janë kryer me mjete piroteknike. Policia tha se dyshon se këto mjete shpërthyese janë hedhur “nga territori i Serbisë”.

“Sulmet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Ky është sulmi i pestë i raportuar në katër ditët e fundit në veri të Kosovës, pranë pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë. Autoritetet në Kosovë më 15 prill bën të ditur se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve të kryera gjatë ditëve të fundit. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Policia e Kosovës ishte sulmuar edhe një ditë më parë, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë. Policia e Kosovës në muajin shkurt kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Ndërkaq, tetorin e vitit të kaluar, zyrtarët policorë kishin zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Sulmet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, u dënuan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe NATO./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button