Sulme në Kiev dhe Lëviv, Rusia hakmerret për anijen “Moskva”

Sulme në Kiev dhe Lëviv, Rusia hakmerret për anijen “Moskva”

Gazetare: Arta Tahiri

Shpërthime u dëgjuan në qytetet e Kievit dhe Lvivit mëngjesin e sotëm, pas paralajmërimeve nga Rusia se do të intensifikojë sulmet në kryeqytetin ukrainas pasi pësoi mposhtje me fundosjen e luftanijes Moskva në Detin e Zi. Rusia sulmoi një fabrikë jashtë Kievit, ku pretendohet se janë prodhuar raketat që janë përdorur për ta sulmuar luftanijen Moskva.

Përveç në Kiev dhe Lviv, sirenat për sulme ajrore janë dëgjuar në shumë pjesë të Ukrainës.

Britania tha se sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë po pengojnë shpërndarjen e ndihmës humanitare për civilët në zonat ku trupat ruse janë tërhequr. “Trupat ruse e kanë përkeqësuar situatën duke shkatërruar ura, duke vendosur mina tokësore dhe duke braktisur veturat ushtarake përgjatë rrugëve kyçe, teksa janë tërhequr nga veriu i Ukrainës”, tha Ministria e Mbrojtjes së Britanisë.

Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski tha se sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë do të përcaktojë se sa do të zgjasë kjo luftë.

“Sanksionet kundër Rusisë janë shumë serioze, janë të dhimbshme në aspektin ekonomik. Por, nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar makinerinë ushtarake të Rusisë. Ne duhet të promovojmë sanksione më të forta, më shkatërruese. Kjo do të përcaktojë se sa do të zgjasë kjo luftë”, deklaroi Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Sipas Zelenskit mes 2,500 dhe 3,000 ushtarë ukrainas kanë vdekur deri më tani, ndërkaq afër 10,000 të tjerë janë plagosur në beteja. Ai tha se nuk ka të dhëna për numrin e civilëve të vrarë. Sa i përket numrit të ushtarëve rusë të vrarë ai vlerësoi se ishin afër 19,000 deri në 20,000. Rusia deri më tani ka pranuar se i janë vrarë 1,350 ushtarë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button