“Sulmi rus ndaj Ukrainës është “sulmi më serioz ndaj paqes” në dekada”
"Sulmi rus ndaj Ukrainës është "sulmi më serioz ndaj paqes" në dekada"

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se agresioni rus kundër Ukrainës përbën “sulmin më serioz ndaj paqes, ndaj stabilitetit në Evropë për dekada të tëra”, në një fjalim kombëtar të enjten.
“Duke zgjedhur luftën, presidenti Putin nuk sulmoi vetëm Ukrainën. Ai ka vendosur të kryejë sulmin më serioz ndaj paqes, ndaj stabilitetit në Evropë për dekada”, u shpreh ai.
Në mënyrë të pazakontë, Macron foli para flamurit të Ukrainës, si dhe flamujve të Francës dhe Bashkimit Evropian.
Ai e filloi fjalimin duke përshëndetur guximin dhe vendosmërinë e popullit ukrainas. “Liria e tyre është e jona,” tha ai.
“Këto ngjarje janë një pikë kthese në historinë e Evropës dhe të vendit tonë. Ato do të kenë pasoja të qëndrueshme dhe të gjera në jetën tonë, në gjeopolitikën e kontinentit tonë.”
“Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë do të jenë në përpjesëtim me agresionin për të cilin ajo është fajtore”, tha Macron.
Ai tha se sanksionet evropiane do të synojnë sektorin ushtarak, ekonominë dhe energjinë e Rusisë dhe se nesër do të flasë para parlamentit francez me informacione të mëtejshme mbi reagimin e Francës.