Sulmuesi ganez refuzoi transferimin, u “zhduk” gjatë testeve mjekësore
Sulmuesi ganez refuzoi transferimin, u “zhduk” gjatë testeve mjekësore
Ernest Nuamah është kthyer në një protagonist të vërtetë, jo për aftësitë teknike apo golat, por për historinë e tij të zbuluar së fundmi nga mediat ndërkombëtare. Sulmuesi 20 vjeçar duhej të transferohej pa dëshirën e tij nga Lion te Fulham, por prishi marrëveshjen duke mos u paraqitur në testet mjekësore.
Përgjithësisht lojtarët zgjedhin paratë, por ka edhe nga ata që vendosin pasionin përpara gjithçkaje.
Ky është rasti i Ernest Nuamah, sulmuesi 20 vjeçar nga Gana, që vendosi të ndjekë zemrën dhe të zgjedhë vetë se ku dëshiron të luajë.
E nisim nga fillimi. Numah duhej të transferohej nga Lion te Fulham në ditën e fundit të merkatos së verës.
Dy klubet, kishin rënë dakord për 21 milion euro, një shifër e rëndësishme duke parë moshën e re të futbollistit.
Zemërthyer dhe në lotë, siç raportonte në atë kohë “L’Equipe”, Nuamah udhëtoi drejt Londrës, ku iu nënshtrua edhe një pjesë të testeve mjekësore.
Por kur duhej t’i përfundonte ato, sulmuesi ganez nuk u paraqit në klinikë.
Ai fiku telefonin, duke humbur çdo gjurmë, madje edhe agjenti i tij nuk e dinte ku ndodhej. Si pasojë, transferimi i tij dështoi dhe zyrtarisht ai mbetet një lojtar i Olympique Lyon.
Zgjedhje zemre, por sigurisht që do të ketë pasoja, financiare dhe jo vetëm, pasi klubi francez pritet të marrë masa në drejtim të futbollistit.