Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë: Mbi 160 mijë fëmijë të vaksinuar kundër poliomielitit
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë: Mbi 160 mijë fëmijë të vaksinuar kundër poliomielitit
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka njoftuar se ekipet e saj vaksinuan më shumë se 160 mijë fëmijë, përkatësisht në ditën e parë të fazës së dytë të një fushate vaksinimi ndaj poliomielitit në Gazën jugore.
“Mijëra familje shkuan në institucionet shëndetësore për të marrë vaksina nga ekipet mjekësore të UNRWA-së. Mbi 160 mijë fëmijë u vaksinuan në ditën e parë të fushatës së vaksinimit kundër poliomielitit në zonat jugore të Gazës dje”, tha agjencia e OKB-së.
Agjencia e OKB-së tha se do të vazhdojë të vaksinojë “sa më shumë fëmijë të jetë e mundur”. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshme izraelite në enklavën e rrethuar palestineze, faza e dytë e fushatës së vaksinimit kundër poliomielitit në Gazën jugore filloi dje, pas vaksinimit të mbi 189 mijë fëmijëve në rajonin qendror në raundin e parë.
Më 25 gusht, Ministria e Shëndetësisë e Palestinës njoftoi mbërritjen e grupit të parë të vaksinave, respektivisht 1.26 milionë doza. Sipas burimeve zyrtare, fushata fokusohet në Gazën qendrore nga 1 deri më 4 shtator, ndjekur nga qyteti Khan Younis nga 5 deri më 9 shtator dhe do të përfundojë në qytetin Gaza dhe rajonet veriore nga 9 deri më 12 shtator.
Urgjenca e fushatës u theksua nga konfirmimi i rastit të parë të poliomielitit në Gaza në 25 vjet, respektivisht muajin e kaluar tek një fëmijë 10 muajsh muajin e kaluar.
Më 16 gusht, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje për një armëpushim humanitar 7-ditor për të mundësuar vaksinimin e 640 mijë fëmijëve, një kërkesë që u mbështet nga UNRWA-ja.
Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm. Që atëherë, të paktën 40.900 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe mbi 94.400 të tjerë janë plagosur.
Një bllokadë e vazhdueshme e enklavës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha. Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet e tij në Gaza.