“Superliga Evropiane mund të nis garimin në vitin 2025”

Superliga evropiane mund të fillojë që në vitin 2025, me kusht që të miratohet një vendim gjyqësor në favor të këtij projekti. Mesazhin e ka përcjell presidenti i Barcelonës, Zhoan Laporta.

“Në mars ose prill do të kemi një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Nëse verdikti është i favorshëm, mendoj se Superliga mund të fillojë në vitin 2025”, tha Laporta për radiostacionin “Cadena SER”.

 

Projekti i Superligës, një kompeticion privat dhe gjysmë i mbyllur, u braktis pas vetëm 48 orësh nën presionin e tifozëve dhe kërcënimin e masave politike. Barcelona, Real Madrid dhe Juventus vazhdojnë të mbështesin këtë kompeticion pavarësisht kundërshtimeve të gjashtë klubeve kryesore të Premierligës angleze (Arsenal, Çellsi, Liverpul, Man. Siti, Man. Junajted dhe Tottenham), të cilët ishin ndër 12 klubet e para. por u tërhoqën dhe u zotuan se nuk do të jenë më të përfshirë në projekt.

 

“Superliga do të jetë një garë e hapur. Nuk do të kisha hyrë në këtë projekt nëse konkursi nuk do të ishte i hapur”, shtoi Laporta.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, i cili ka mbështetur projektin e Superligës që në fillim, tha në tetor 2022 se futbolli ishte “i sëmurë” dhe se një Superligë Evropiane mund ta ringjallë atë. /abcnews.al/

LEXO EDHE:

Back to top button