Takim i liderëve, VMRO-ja do të vëzhgojë zhvillimet e ardhshme

Gazetare: Fatlume Dervishi

As VMRO-DPMNE-ja, për momentin, nuk është e gatshme të iniciojë takim liderësh. Nga partia opozitare thonë se do të presin të ndjekin zhvillimet e periudhës së ardhshme përpara se të vendosin për hapat e tyre, shkruan Alsat.

Përgjigja e VMRO-DPMNE-së vjen një ditë pasi kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se do të ketë takim me kreun e opozitës Hristijan Mickoski, por pa precizuar se kur kjo do të ndodhë. Mickoski ka deklaruar se pret ftesën e Kovaçevskin.

Në takimin eventual të liderëve do të diskutohej për shfuqizimin e qeverisë teknike, çështjen me Bullgarinë dhe ndryshimet në Kodin zgjedhor. Megjithatë, bisedimet për Kodin zgjedhor, siç thonë partitë, zhvillohen edhe në nivel të grupeve të punës por deri tani nuk ka rezultate konkrete prej tyre. VMRO-DPMNE-ja kërkon që partitë e vogla të koalicionin të shumicës të ruajnë dinjitetin e tyre dhe ta lëshojnë shumicën, nëse pushteti nuk pranon kërkesën e tyre për një njësi zgjedhore.

“Kërkojmë të mbeten parimor dhe me dinjitet. Nëse kanë thënë se ato janë prioritetet e tyre ta dëshmojnë me lëshimin e koalicionit të shumicës. Me qëndrimin në pushtet vetëm tregojnë se kanë interesa të ndryshme me ato që kanë thënë para opinionit. Të mos e gënjejnë as opinionin dhe as anëtarësinë e tyre”, deklaroi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja thotë se mbështet modelin me një njësi zgjedhore por kërkon konsensus me të gjitha partitë e tjera. Nuk vendosin afat se kur mund të arrihet një marrëveshje.

“Ndryshimet e Kodit zgjedhor janë ndryshime strukturore. Nuk janë ndryshime të thjeshta që mund të miratohen brenda natës ose me kërkesë të një pale ose të dy palëve. Ai është proces që duhet t’i përfshijë të gjithë aktorët politik dhe me konsensus të gjerë politik të vimë deri te Kodi më i mirë zgjedhor për shtetin”, tha Kostadin Acevski, LSDM.

Partitë e vogla të koalicionit qeveritar Lidhja Demokratike, Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, VMRO-Popullore dhe të tjera kërkojnë shqyrtimin e propozimit për modelin me një njësi zgjedhore deri në mes të muajit prill, në të kundërt kanë njoftuar largimin nga shumica. Por, jo të gjitha partitë e mëdha janë të një mendimi sa i takon ndryshimit të modelit zgjedhor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button