Takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator


I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator.

Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në Twitter, por nuk dha hollësi të tjera.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti konfirmoi se më 2 shtator do të marrë pjesë në takimin e thirrur në Uashington.

Ai tha se në këtë takim, me palën serbe do të takohen si “dy shtete të pavarura”.

“Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndërkaq, ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku tha se ftesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ardhur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell dhe Këshilltari i presidentit amerikan për Siguri Kombëtare, Robert o’Brien.

“Faleminderit që siguroheni që shtetet e lira dhe demokratike gjithmonë mund të llogarisin në ndihmën e SHBA-së”, ka shkruar ajo.

Një takim në Shtëpinë e Bardhë ishte paralajmëruar edhe për 27 qershor, por i cili nuk u mbajt pasi Prokuroria e Specializuar në Hagë njoftoi se kishte paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Më herët, para takimit të 27 qershorit, nga Presidenca e Kosovës kishin konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në atë takim ishte paraparë që të bisedohej për zgjidhjen e çështjeve ekonomike, heqjen e barrierave tregtare, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave si dhe investimet në infrastrukturën rajonale.

Pavarësisht anulimit të takimit të 27 qershorit në Uashington, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian rinisën dialogun.

Më 16 korrik në Bruksel u takua kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë takim u tha se palët biseduan për çështjen e të pagjeturve, zhvendosurve dhe për çështje ekonomike.

Hoti ka insistuar se në dialog Kosova shkon vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Krahas dialogut në nivelin politik, në Bruksel kanë nisur edhe takimet në nivel ekspertësh mes dy palëve. Në këto bisedime, Kosova përfaqësohet me Koordinatorin shtetëror për dialog, Skender Hyseni ndërsa pala serbe me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Kosova insiston se ky nuk është dialog në nivel teknik, por se aty, delegacionet do të punojnë në draftimin e një marrëveshjeje finale për normalizimin e marrëdhënieve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018 për shkak të vendosjes së një takse nga Qeveria e Kosovës ndaj importeve serbe.

Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet, por Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin, duke thënë se me heqjen e kësaj mase, po i jepet shans rikthimit të dialogut.

LEXO EDHE:

Back to top button