Takime për modelin zgjedhor me një njësi

Takime për modelin zgjedhor me një njësi

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja e ka për qëllim të organizojë takime të ndara me të gjithë partitë parlamentare, ndërkohë që kërkon që propozim-ndryshimet në Kodin zgjedhor për modelin me një njësi zgjedhore të vendoset në rend dite për t’u diskutuar në Kuvend.

Grupi parlamentar i partisë opozitare takoi Lëvizjen Besa, ndërkohë që nesër do të takojë edhe përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët.

“Angazhimi kryesor në të gjitha takimet është që ligji i propozuar për ndryshime në modelin zgjedhor i cili për momentin ruhet në sirtarin e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi të dalë dhe të fillojë me procedurën parlamentare dhe të kemi debat publik për këtë ligj. Ligjet e propozuara nuk duhet të fshihen, por duhet të shqyrtohen kurse shumica e deputetëve do të vendosë se cili ligj është i duhuri”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Besa është për reduktimin e numrit të njësive zgjedhore, por kërkon që të ketë tre njësi. Sipas tyre, duhet të bëhet bashkim i njësisë së parë dhe të dytë, të tretë dhe të katërt dhe të pesë dhe të gjashtë.

https://youtu.be/OrqSpqxIV5E

“Kufijtë administrativ të realizimit të zgjedhjeve janë dhe kjo shumë lehtë mund të realizohet, mundësohet që një numër më i madh i deputetëve të zgjidhet në kuadër të një njësie zgjedhore, në këtë rast do të zgjidheshin 40 deputetë në një njësi. Kjo do të ishte komfor asaj që është Republika e Maqedonisë së Veriut, komfor asaj që është aspekti etnik dhe social i këtij vendi”, tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Nuk dihet nëse LSDM-ja dhe BDI-ja do të pranojë takime me VMRO-DPMNE-në për të mbështetur procedimin e mëtejmë në Kuvend të propozimit për një njësi zgjedhore. Deri tani, LSDM-ja thotë se mbështet modelin me një njësi kurse BDI-ja është më shumë në mbështetje të modelit aktual zgjedhor. Të gjitha partitë janë dakord se Kodi zgjedhor duhet të ndryshohet me konsensus. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button