Takimi i liderëve të partive politike shqiptare – BDI ‘prishë’ planet

Takimi i liderëve të partive politike shqiptare – BDI ‘prishë’ planet

Gazetar: Adrian Kerimi

Lëvizja Besa fton tryezën e përbashkët të partive parlamentare shqiptare, shkruan Alsat.

Temë diskutimi do të jetë statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni dhe harmonizimi i qëndrimeve për heqjen e 20% nga akti më i lartë juridik.

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha tha se pret reflektimin e të gjithë liderëve partiak, pasi sipas tij në këtë rast nuk duhet të ketë bajraktarizëm.

“Në emër të kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami të gjitha partive politike shqiptare do t’u dërgojmë ftesë për një takim të përbashkët ku do të diskutohet avancimi i të drejtave juridiko-kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nga dita e nënshkrimit të kësaj deklarate deri më sot. Po ashtu në këtë takim do të propozohet diskutim mbi ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët të faktorit politik shqiptar në vend rreth ndryshimeve kushtetuese që duhet të ndodhin shumë shpejtë dhe ndërmarrja e hapave konkrete për heqjen e termit nënçmues “20%” dhe të njëjtin ta zëvendësojmë me termin gjuha shqipe”, tha Arianit Hoxha, Zëvendëskryetar i Lëvizjes Besa.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osman lë të kuptohet se BDI-ja mund të mos merr pjesë ne këtë takim. I pyetur për thirrjen e Lëvizjes Besa, Osman tha se tha se 20% nuk duhet të jetë agjendë etnike, por proces i cili arrihet si rezultat i pjekurisë shoqërore dhe politike. I pyetur për kushtin e Alternativës që përmes përcaktimit kushtetues të ndalohet vjetërsimi i veprave penale të abuzimit me detyrën zyrtare, Osmani tha se në aspektin politik askush nuk mund të jetë kundër, por në fund duhet të flasin ekspertët juridik.

“Nuk shoh rezistencë te partitë politike maqedonase të cilët e panë se formulimi 20% vetëm ka nxitur një garë demografike që e shndërruar regjistrimin në një instrument politik dhe jo operacion statistikor. Nuk shoh rezistencë as te partitë maqedonase dhe as ato shqiptare sepse e kanë kuptuar se paska qenë gabim ky vlerësim dhe se ka ardhur koha që në një proces normal të pjekurisë shoqërore dhe politike të bëhet ky korrigjim. Nëse është kështu pse duhet ne tani ta marrim këtë temë dhe ta prezantojmë si temë etnike në të cilën dikush do të bën koncesion ndaj nesh”, u shpreh Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.

Takimi planifikohet javën e ardhshme, varësisht agjendës së liderëve dhe përshtatjes së ditës dhe kohës së takimit. Ftesat do t’i adresohen krerëve të BDI-së, ASH-së, Alternativës dhe PDSH-së. Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptarë përmban 7 pika, ndërsa pika e parë i referohet barazisë gjuhësore dhe etnike.

“ Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën”, thuhet në deklaratën e përbashkët e partive politike shqiptare, pika 1.

Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

Takimi i fundit i partive nënshkruese në Deklaratën e përbashkët ishte në korrik të vitit 2017. Më pas kreu i BDI-së, Ali Ahmeti kishte ftuar një takim, por ishte bojkotuar nga partitë shqiptare për shkak të deklaratës së tij se “nuk ulet me horra”. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button