Taravari dhe VLEN ndajnë rrugët përfundimisht

Taravari dhe VLEN ndajnë rrugët përfundimisht

Gazetare: Fatlume Dervishi

“Taravarin nuk e përjashtuam por u vetëpërjashtua”, tha kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti pas takimit të jashtëzakonshëm të liderëve të VLEN, një ditë pasi Taravari njoftoi lista të veçanta të kandidatëve për këshilltarë komunash. Ai thotë se vendimi konfirmon bashkëpunimin e Taravarit me BDI-në për të dëmtuar VLEN-in kurse beson se ai është marrë pa mbështetjen e strukturave dhe votuesve të Aleancës.

“Është e qartë se këto negociata kanë pasur për qëllim përçarjen e koalicionit VLEN dhe rikthimin nga vdekja klinike të BDI-së. Cili ishte çmimi i këtij operacioni dhe a ja vlejti, kjo do të merret vesh shumë shpejt. Ai u largua, ai dëshmoi që është në koalicion me BDI-në, por do ta luaj rolin e viktimës. Ne sot vetëm e konstatojmë vetëpërjashtimin e tij nga VLEN-i”, deklaroi Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike, VLEN.

VLEN me këtë konfirmoi se do të dalë bashkë në zgjedhje, me lista dhe kandidatë të përbashkët, madje edhe e zyrtarizuar si një parti. Taravari, nga ana tjetër, nuk duhet të ketë shpresa që VLEN do ta mbështesë në ndonjërën nga komunat për pozitën e kryetarit.

Z. Mexhiti, z Taravari nuk e përjashtoi mundësinë që të kërkojë mbështetjen tuaj si koalicion për kryetarët e komunave në komuna të caktuara. A do i jepnit mbështetje?

“Mendoj se edhe z. Taravari më nuk e din çka flet. Mendoj se nuk ka më praktikë në Maqedoni të dalësh me kandidatët tu dhe diku të bashkëpunosh me BDI-në, diku me VLEN-in, diku me VMRO-në, diku me LSDM-në, diku edhe me “Levicën”. Kjo është më qesharake, joserioze”, u përgjigj Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike, VLEN.

Problemi tani, bartet në qeveri, thotë Mexhiti, duke njoftuar se për këtë do të bisedojnë edhe brenda ekzekutivit.

“Kjo nënkupton që problem futet edhe në qeveri sepse z. Taravari tani nuk e din a është kundër korrupsionit apo t’i mbrojë të korruptuarit, a është për ndryshime apo për kthimin e të vjetrës. Ky tashmë është problem real për qeverinë por do ta diskutojmë, debatojmë dhe si sot do ju njoftojmë”, shtoi Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike, VLEN.

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit vendosi një ditë më parë që kjo parti të garojë me lista të ndara të kandidatëve për këshilltarë komunash në zgjedhjet e ardhshme lokale. Taravari tha se kjo nuk nënkupton shkëputje nga VLEN-i por se ata duan që kandidatët për kryetarë të komunave të zgjidhen përmes matjeve të rejtingut. Taravari tha se kjo nuk është arsye as për dalje nga qeveria.

“Listat do të jenë lista të Aleancës për Shqiptarët kurse kandidatët për kryetarë komunash, ne jemi munduar që ta imponojmë sondazhin dhe anketën, t’i përzgjedhim më të mirët të mundshëm me qëllim që të fitojë VLEN-i. Në qoftë se shkojmë katër liderët, katër kryetarët ose grupe të punës vendosin se kush çfarë merr dhe në cilën komunë, unë mendoj se kjo është humbje për komplet VLEN-in dhe për ne është e papranueshme. Për kryetar komunash jemi të hapur për bashkëpunim. Ne jemi pjesë e VLEN-it, do të shohim a mundemi të gjejmë zgjidhje aty. Në qoftë se jo, në bazë të lëvizjeve që ndodhin, ngjarjeve, dinamikave, zhvillimeve, ashtu edhe do t’i sjellim vendimet”, tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.

Taravari nuk përjashtoi bashkëpunimin me BDI-në dhe as ribashkimin me Aleancën e Ziadin Selës duke thënë se shtëpia e tyre është e hapur dhe e madhe.

 

LEXO EDHE:

Back to top button