Taravari kritikon krerët e VLEN-it: ASH-ja në ekzekutiv, derisa të thotë Mickoski
Taravari kritikon krerët e VLEN-it: ASH-ja në ekzekutiv, derisa të thotë Mickoski

Gazetar: Suad Bajrami
Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, qëndrimet e eksponentëve të VLEN-it që deklarojnë se nuk mund të jesh edhe me BDI-në edhe me VLEN-in i vlerëson si reagime emocionale, të pamatura, me vrer dhe nervozizëm. Taravari thotë se VLEN-it i kanë dhënë mundësi që të mendohen nëse duan të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale.
“Ne i kemi lënë edhe një mundësi VLEN-it, në qoftë se janë të interesuar… Unë e shoh që tash reagojnë emocionalisht. Kjo periudhë e emocioneve besoj se kalon për 6-7 ditë. Në qoftë se nuk janë të gatshëm ne i shohim opsionet të cilat mundemi t’i kemi parasysh si parti për të dalë sa më mirë në zgjedhjet lokale…Reagimet i shoh se janë emocionale, shumë vrer. Kjo flet në subkoshiencë kanë pasur diçka që flasin kështu. Tash besoj se janë deklarate të pamatura”, deklaroi Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.
Në lidhje me çështjen e pjesëmarrjes së tyre në Qeveri pas ndarjes nga VLEN, Taravari thekson se ata do të jenë pjesë e ekzekutivit derisa nuk thotë kryeministri Hristijan Mickoski të kundërtën.
“Qeverinë e bën kryeministri. Nëse kryeministri, unë kam biseduar me kryeministrin. Sërish do të bisedojmë dhe nëse ai vlerëson se Aleanca për Shqiptarët nuk duhet, ne nuk kemi kurrfarë problemi. Megjithatë, mendoj se Aleanca për Shqiptarët për momentin duhet, por nëse miratojnë vendim të tillë ne nuk kemi kurrfarë problemi. Nuk mundet askush tjetër të thotë, përveç atij që formon qeveri. Me të do të shihemi, dëgjohemi, jemi në komunikim”, u shpreh Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.
Turbulencat politike dhe paralajmërimet e largimit të ASH-së nga VLEN dhe nga Qeveria, filluan kur ASH në mbledhjen e fundit të kryesisë vendosi që në zgjedhjet lokale të dalë me lista të veçanta për këshilltarë komunalë dhe jo me kandidatë të përbashkët me partnerët e VLEN-it. Pas kësaj, nga VLEN theksuan se ky veprim i ASH-së do të thotë vetëpërjashtim nga koalicioni ndërsa edhe VLEN edhe ZNAM kërkojnë largimin e Taravarit nga Qeveria. /Alsat.mk