Taravari mohon takimet për hyrjen e ASH-së në Qeveri

Taravari mohon takimet për hyrjen e ASH-së në Qeveri

Gazetare: Fatlume Dervishi

LSDM-ja dhe Aleanca për Shqiptarët mohojnë të kenë pasur takime për përfshirjen e mundshme të partisë opozitare shqiptare në qeveri. Sipas kryeministrit, deri tani, nuk është hapur kjo temë mes tyre.
“Takim zyrtar me kryesinë e Aleancës për Shqiptarët nuk kam pasur. Jam takuar vetëm me deputetin dhe profesorin Elmi Aziri i cili ishte pjesë e përbërjes më të gjerë të Këshillit ekonomik megjithatë aty kemi biseduar për masat ekonomike të cilat u shndërruan në zgjidhje ligjore”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Sinjale ka pasur por jo ofertë serioze, thotë kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari. Ai thotë se këtë çështje nuk e ka diskutuar as në organet e partisë dhe se janë fokusuar në konstituimin e degëve të tyre.

“Nuk mund të them asgjë për diçka që është inekzistente. Kur nuk ka asgjë, s’ke çfarë bisedon as me ato. Nëse do të ketë diçka do të ulemi dhe do ta bisedojmë. E shohim, sepse duhet të vendoset në grup. Ka pasur ndonjë ofertë…? Sinjale edhe mund të ketë pasur por nuk ka pasur diçka konkrete për të cilën mund të bisedojmë dhe të debatojmë me strukturat partiake. Them, tash për tash nuk është diçka serioze”, tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Zërat për përfshirjen e mundshme të ASH-së në Qeveri u shtuan pasi Taravari tha se nëse kanë ofertë, do ta shqyrtonin atë. Ato janë shtuar dhe më shumë për shkak të shumicës së brishtë nga lëkundjet në BDI me të ashtuajturin grupi i zjarrit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button