Tare fillon bisedimet me agjentin e Robert Levandovskit

Igli Tare pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm me agjentin Pini Zahavi, ku në fokus do të jenë dy emra të mëdhenj: Kristofer Nkunku dhe Robert Levandovski.

Kontrata e sulmuesit polak me Barcelonën skadon në korrik të vitit 2026, dhe drejtuesit e Milanit duan të kuptojnë qartë nëse ekziston ndonjë hapësirë reale për një transferim të mundshëm në verën e ardhshme.

Edhe pse marrëveshja për Levandovskin shihet si e vështirë, Milani ka planifikuar një takim të drejtpërdrejtë me Zahavin për të kuptuar qëllimet e lojtarit, pritshmëritë e tij sportive dhe kërkesat financiare që do të kërkoheshin për një operacion të tillë. Klubi kuqezi është duke analizuar me kujdes çdo alternativë që mund të përmirësojë repartin ofensiv.

Në të njëjtin takim, pritet të trajtohet edhe çështja e Kristofer Nkunku, i cili verën e kaluar u transferua te Milani për 38 milionë euro, me mundësinë e 4 milionë eurove të tjera në formë bonusesh. Megjithatë, performancat e tij deri tani nuk kanë qenë bindëse dhe kanë shkaktuar shqetësim te drejtuesit e klubit. “Rossonerët” duan të kuptojnë nëse problemet e tij janë të përkohshme apo nëse situata kërkon masa të tjera.

Bisedimet me Pini Zahavin pritet të jenë vendimtare për të dyja rastet, teksa Milani synon të qartësojë planet e tij për merkaton dhe të ndërtojë një strategji të qartë për sezonet e ardhshme./Indeksonline/

LEXO EDHE:

Back to top button