Real Madridi i ka kërkuar trajnerit Çabi Alonso të fitojë me patjetër ndaj Man. Sitit në “Santiago Bernabeu” në rast që dëshiron të vazhdojë në krye. Situata te “Los Blankos” është shumë e tensionuar, sidomos pas humbjes nga Selta Vigo, ku gjiganti spanjoll ka vetëm dy fitore në shtatë ndeshjet e fundit.
Siç raporton “El Mundo”, ka pasur një takim të hënën në mëngjes te Real Madridi, ku drejtuesit e klubit u mblodhën për të vendosur nëse tekniku spanjoll duhet të vazhdojë ose jo. Nga takimi, që u zgjat përtej orës një pas mesnate, doli një përfundim i qartë: Ndeshja ndaj Man. Sitit është shansi i fundit për Alonson.
Raporti mes dhomës së zhveshjes dhe trajnerit konsiderohet i pariparueshëm, ndërsa Real Madridi tashmë ka nisur të shikojë tregun e trajnerëve për zëvendësuesin e tij. Në listën e favoritëve janë dy emra: Zinedin Zidan dhe Jurgen Klop.
Në fund, pas ndarjes së mendimeve në kupolën e klubit, fitoi ideja që Alonso të mbahej të paktën deri të mërkurën, por që nga ajo orë e parë e mëngjesit ka nisur paralelisht sondimi i tregut të trajnerëve. Të gjithë janë të vetëdijshëm se një pjesë e madhe e dhomës së zhveshjes është kundër trajnerit, diçka e paqëndrueshme për funksionimin e Real Madridit.
Edhe konferenca për shtyp e trajnerit nuk ndihmoi për të qetësuar tensionet në zyrat drejtuese. Alonso e përdori edhe lëndimin e Militaos si një nga arsyet për paraqitjen e dobët në orën e parë të lojës.
“Na kushtoi shumë ta rimerrnim veten emocionalisht pas kësaj”.
Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga drejtuesit. I pyetur nëse ndihej me forcë për të vazhduar, Alonso u përgjigj shkurt. “Sigurisht”.








