“Të gjitha vendet e Ballkanit përballen me problemin e transportit publik të dobët dhe për pasojë me ajër të ndotur”
“Të gjitha vendet e Ballkanit përballen me problemin e transportit publik të dobët dhe për pasojë me ajër të ndotur”

Gazetar: Miki Trajkovski
Maqedonia dhe vendet e rajonit e kanë transportin publik më të dobët në Evropë, ndërsa transporti jo cilësor përmendet edhe si një nga arsyet për ajrin e ndotur që e thithin qytetarët. Qytetet e Maqedonisë rregullisht gjenden në krye të listës së qyteteve më të ndotura në Evropë dhe botë. Sipas një hulumtimi, vetëm 47% e qytetarëve të Maqedonisë janë të kënaqur me transportin publik urban. Më të pakënaqur se banorët e Maqedonisë janë banorët e Shqipërisë me 29%, Mali i Zi me 37% dhe Serbia me 44%.
“Kur flasim për qytetet, e dimë se qytetet tona janë ndër më të ndoturat në Evropë, ndërsa sektori i transportit është një nga ndotësit më të mëdhenj, apo një nga kontribuuesit kryesorë për ndotjen. Prandaj kërkojmë zgjidhje që do të sjellin zero emetime. Vitin e kaluar, ministrat tanë miratuan deklaratë për autobusë të pastër. Nëse ka vullnet politik dhe pranim politik nga komuniteti politik, atëherë mund të kemi platformë për autobusë të pastër”, deklaroi Nedim Begoviq – Komuniteti i Transportit.
“Duhet të fokusohemi më shumë te numri i udhëtimeve individuale, pra te numri i automjeteve që drejtohen dhe përdoren vetëm nga një drejtues, si dhe të përqendrohemi në rritjen e numrit të këmbësorëve dhe çiklistëve”, tha Shad, Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim.
Qyteteve të Maqedonisë u nevojiten më shumë automjete elektrike, të cilat do të kontribuojnë në uljen e ndotjes, si dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Por për këtë është e nevojshme vullnet politik nga bartësit e pushtetit në shtet, thonë ekspertët.
“Gjithçka është e lidhur me vendimet politike dhe me investimet në transport, të cilat, së bashku me energjetikën, janë ndër shtyllat kryesore të çdo shteti dhe për këtë arsye shteti duhet të gjejë forcë dhe të investojë mjaftueshëm në këtë fushë, në pjesën e zëvendësimit të mjeteve të transportit dhe në pjesën e zgjidhjes së transportit si në qytete ashtu edhe ndërmjet qyteteve”, u shpreh Metodija Atanasovski – profesor në Fakultetin Teknik në Manastir.
Fokusi i konferencës “Zgjidhje të gjelbra për transportin urban“ që po mbahet në Ohër është vendosur tek sfidat dhe zgjidhjet që lidhen me zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të transportit urban në vendet e Ballkanit Perëndimor. /Alsat.mk