Të hënën shpallet thirrja publike për transportuesit privat

Të hënën shpallet thirrja publike për transportuesit privat

Gazetar: Mefail Ismaili

Qytetit i Shkupit do të hap të hënën thirrjet publike që transportuesit privatë të mund të aplikojnë për ti rikthyer autobusët në qarkullim. Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, thotë për Alsat se thirrjet e reja nuk do të kenë asnjë ndryshim nga thirrjet paraprake, madje edhe numri i autobusëve të transportuesve privatë do të jetë i njëjtë.

“Nuk ka asnjë ndryshim, numri i autobusëve në pajtueshmëri me thirrjen do të jetë i njëjtë aq sa ka pasur në thirrjen paraprake edhe më herët, që do të thotë se do të kthehen në komunikacion aq autobusë sa ka pasur më herët, duke pasur parasysh që në Ndërmarrjen për Qarkullim publik ka plus 140 autobusë të tjerë në komunikacion, me çka shpresojmë se tërësisht do të jetë i plotësuar numri i autobusëve”, tha Danella Arsovska, kryetare e QSH.

Edhe përkundër arritjes së marrëveshjes me transportuesve privat për shlyerjen e borxhit prej rreth 1.8 milion euro, Arsovska i shmanget pyetjes për fatin e borxhit. Borxhi i akumuluar ishte shkaktari kryesor i ndërprerjes së punës dhe protestave të shumta të transportuesve.

“Ajo që gjenerohej atje çdo muaj nuk është borxh, ato janë kërkesa të vazhdueshme. Ajo shumë që duhet të paguhet rregullisht dhe ashtu është vepruar në vazhdimësi dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen, megjithatë ajo nuk është borxh, por ajo është diçka që kërkohet si paradhënie nga ana e transportuesve ç’do muaj, paraprakisht për muajin e ardhshëm dhe paguhet në mënyrë të rregullt deri në momentin kur vjen muaji tjetër që të kenë para në llogaritë e tyre që të mund ta financojnë muajin e ardhshëm për të punuar dhe funksionuar”, shtoi ajo.

Transporti publik në kryeqytet me muaj të tërë është në kaos të vërtetë, pasi nuk ka autobusë të mjaftueshëm në të gjitha linjat. Pas përplasjeve me Qytetin e Shkupit dhe protestave për borxhin e prapambetur, transportuesit privatë themeluan këshill të ri organizativ, pas çka u pranuan në takim nga Danella Arsovska dhe u pajtuan që të kthehen në punë. Ndërkohë Arsovska dhe dy shoqatat e transportuesve privatë, “Mak Ekspres” dhe “Slloboda Prevoz” kontestin e tyre do ta zgjidhin në gjykatë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button