Të martën grupi i Kumanovës ndërpret grevën e urisë

Të martën grupi i Kumanovës ndërpret grevën e urisë

Gazetar: Adnan Qaili

Pas dy javësh grevë urie, pesë nga nëntë të burgosurit e Grupit të Kumanovës paralajmërojnë ndërprerjen e saj të martën, që përkon me datën kur Drejtoria e burgjeve u ka premtuar përmbushjen e kërkesave. Kjo u njoftua përmes një letre të hapur nga Burgu Shutkës ku po mbahen në një qeli 9 të burgosurit e grupit.
Ata iu bëjnë thirrje deputetëve dhe faktorit ndërkombëtar të marrin masa ndaj institucioneve përkatëse.

“Nëse deri më 23 Maj nuk kemi asnjë përgjigje, ne do të ndërpresim grevën, arsyeja është shqetësimi që u bëhet familjarëve për rrezikun se do të shkaktohet humbje e shëndetit dhe jetëve tona. Por, nuk jemi optimist sepse të gjithë tanimë e kanë kuptuar për padrejtësitë që po na bëhen sistematikisht 7 vite”, thuhet në letrën e hapur të Grupit të Kumanovës.

Se është bërë padrejtësi, këtë e konstatoi edhe Avokati i Popullit Naser Ziberi, i cili tha se këtë grup e kanë dërguar qëllimisht të vuaj dënimin në Shutkë, për të mos iu dhënë të drejtat që iu takojnë me ligj.

“Kjo nuk mund të jetë arsyeja që dikush të privohet nga realizimi i të drejtave dhe favoreve që i jep vet ligji. Nuk mundet që Drejtoria e burgut dhe e zbatimit të sanksioneve duke u thirr në veprën penale, kohëzgjatjen e dënimit dhe supozimit se ata mund të arratisen të privoj të drejtën e paraparë sepse në të kundërtën do të vijmë në situatë që këto të drejta me ligj të jenë vetëm deklarative apo dekor në letër”, u shpreh Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Arsim Bajrami, Musadik Pajaziti, Irfan Lutfiu, Elham Arifi dhe Sabedin Abdullai njoftojnë opinionin se në takimin paraprak me drejtorin për zbatimin e sanksioneve dhe drejtorin e burgut, ju është premtuar se deri në ketë datë do të mundohen që ti realizojnë kërkesat e tyre, por deri tash pa asnjë rezultat.

“Pas 17 ditëve grevë urie dhe izolimi total edhe pse gjendja shëndetësore po përkeqësohet ditë për ditë me mundësi të shumtë për humbje edhe jetësh, na bën të detyruar t’ju drejtohemi përmes kësaj letre për herë të fundit që ta mbyllim këtë kapitull dhe kjo letër të shërbej si dëshmi në të ardhmen se si shteti i trajton qytetaret e vetë në mënyrë jo të barabartë mes etniteteve!”, tha Letër e hapur nga Grupi Kumanovës.

Nga zyra e Avokatit të Popullit u tha se ky është rast i vetëm ku kërkesa e tyre mbahet pezull dhe nuk u jepet e drejta që iu takon, por as nuk iu kthehet përgjigje negative ngaqë do të bie në kundërshtim me ligjin. Kujtojmë që gjatë këtyre ditëve të grevës, të burgosurit nga uria kanë pasur komplikime shëndetësore, ku kanë intervenuar edhe ekipet mjekësore me autoambulancë drejt emergjencës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button