Të pakënaqurit s’pajtohen me emrat e propozuar

Të pakënaqurit s'pajtohen me emrat e propozuar

Gazetar: Adrian Kerimi
Pas bojkotit që i bëri “Grupi i zjarrit”, kreu i BDI-së Ali Ahmeti i është adresuar të pakënaqurve dhe ka kërkuar të marrin pjesë në takimin në selinë e partisë në Reçicë të Vogël. Mbledhja partiake vjen një ditë përpara mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, ku duhet të zgjidhen organet më të larta partiake. Paraprakisht “Grupi i zjarrit” vendosi të mos marrë pjesë në takimin konsultativ te Ahmeti. Siç mësohet arsyeja e bojkotimit ishte pakënaqësia nga takimi i djeshëm dhe emrat e propozuar nga Ahmeti që do të përbëjnë ekipin e nënkryetarëve të partisë. Sipas burimeve, emrat që janë lakuar në takimet e fundit janë:
 Emrat e propozuar nga Ali Ahmeti
Faton Ahmeti, Sekretar i përgjithshëm
Valdet Xhaferi, Sekretar organizativ
Izet Mexhiti, Nënkryetar
Arta Bilalli, Nënkryetare
Arbër Ademi, Nënkryetar
Bajram Rexhepi, Nënkryetar
Bujar Osmani, Zëdhënës
Të pakënaqurit nuk pajtohen me ekipin pasi sipas tyre, emrat e propozuar me përjashtim të Izet Mexhitit llogariten klikë e zëvendëskryeministrit, Artan Grubi ndërsa vendimmarrja do të jetë peng i kreut të partisë Ahmeti dhe Grubit. Duke u nisur nga kjo përbërje. Madje në shenjë pakënaqësie, nënkryetari aktual Izet Mexhiti ka ofruar që të mos jetë në këtë pozitë përderisa emrat e propozuar janë vegla të Ahmetit dhe Grubit.
Gjithashtu Grupi i zjarrit nuk pajtohet me faktin që në takimet konsultative nuk bisedohet dhe nuk vendoset për të ardhmen e partisë, por sërish në sipërfaqe dalin figura të konsumuara dhe vegla të individëve të caktuara. Sipas të pakënaqurve hapësirë duhet t’u jepet figurave me integritet, me të cilët do të funksionojë vendimmarrja në parti. Për takimin e nesërm të Këshillit të Përgjithshëm partia iu është paraqitur një nga një pjesëmarrësve për të konfirmuar përmes telefonit pjesëmarrjen e tyre në mbledhje, nga ku duhet të dalin dy kryesitë dhe më pas kryesia e gjerë të tërhiqet në selinë e BDI-së siç pretendon grupi i zjarrit për të kërkuar llogaridhënie nga anëtarët e ekzekutivit, të kryesuar nga zv/kryeministri Grubi.
Megjithatë, pjesëmarrja e nesërme e vet Grupit të Zjarrit mbetet e paqartë, varësisht konkluzioneve nga takimi i sotëm. Ndërkaq gjatë ditës një sërë anëtarësh të Këshillit të përgjithshëm dhe anëtarë të degëve të ndryshme Studeniçani, Batinca, Ohri, Struga, Vrapçishti, etj. i janë bashkëngjitur pakënaqësisë së Grupit të Zjarrit me të njëjtat kërkesa dhe vërejtje, veçanërisht ndaj rolit të Grubit dhe mos konstituimit të organeve të partisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button