Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar inspektim të jashtëzakonshëm për rastin e 19-vjeçares në Spitalin e Strumicës

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Ministria e Shëndetësisë po e ndjek nga afër rastin e pacientes 19-vjeçare dhe është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente shëndetësore. Kështu thonë nga ky institucion një ditë pasi në rrjetet sociale bëri bujë rasti i lehonës e cila, sipas familjarëve, ishte lënë korridoreve dhe nuk merrte ndihmë dhe trajtimin e nevojshëm në spitalin e Strumicës.

“Me qëllim përcaktimin e plotë, objektiv dhe profesional të të gjitha rrethanave që lidhen me trajtimin e pacientes, Ministria i ka lëshuar një urdhër Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor për të kryer një inspektim të jashtëzakonshëm. Pas marrjes së gjetjeve të inspektimit dhe të gjithë dokumentacionit mjekësor, Ministria do të fillojë edhe mbikëqyrjen profesionale mbi rrjedhën aktuale të trajtimit dhe veprimet e punonjësve shëndetësorë dhe institucioneve të përfshira në rast”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

• Ministria i ka lëshuar një urdhër Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor për të kryer një inspektim të jashtëzakonshëm.
• Ministria do të fillojë edhe mbikëqyrjen profesionale mbi rrjedhën aktuale të trajtimit.

Një ditë më parë, Velibor Stojanov alarmoi në rrjetet sociale se e kishte dërguar bashkëshorten e djalit të tij në Spitalin e Strumicës dhe nuk po merrte ndihmën mjekësore. Ai zgjodhi që ndihmë të kërkoj përmes kyçjes live në rrjetet sociale. Sipas tij, e reja 19 vjeçe, nënë e 3 fëmijëve, pas lindjes së fundit me prerje cezariane, kishte mbetur e palëvizshme, ndërsa tani nuk gjen ndihmë nga mjekët e spitalit në Strumicë. Stojanov ka kërkuar menjëherë formimin e një komisioni, i cili do hetonte lëndën se si ka mbetur e palëvizshme 19 vjeçarja pas lindjes, dhe nëse janë ndjekur të gjitha protolollet mjekësore.

“Kjo është turp, njëri na thotë shko të mjeku tjetër ai na thotë shko të tjetri, kush është fajtor ngrenë supet nuk e dinë. E dëmtuan në lindje dhe s’marrin masa, ende na ofendojnë na largojnë kjo është turp njerëz. Shpërndajeni këtë video të arrij tek ministri. Më thotë mjekja në gjinekologji se do mbetet e paralizuar dhe nuk duhet ta malltretoni andej këndej. E pyes kush është fajtor për këtë ngre supet se di, më thotë fajtor është anesteziologu”, tha Velibor Stojanovski, Vjehrri i të 19-vjeçares.

Siç citojnë disa media, drejtori i Spitalit në Strumicë është arsyetuar me pritjen e rezultateve nga ana e laboratorisë, ndërsa ka shpjeguar se, e njëjta paciente, shkaku i komplikimeve pas prerjes së tretë cezarjanë, kishte kryer 27 kontrolle nëpër spitale të ndryshme të vendit../Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button