Gazetare: Ilirida Sulejmani
Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka nxitur reagime të shumta në mbarë hapësirën shqiptare.
Kryeministri i Shqipërisë, ka reaguar për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Special në Hagë, duke publikuar një foto me mbishkrimin “Marre”.
Ndërsa Taulant Balla, kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë e ka kundërshtuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar të padrejtë dhe duke kërkuar shfrytëzimin e të gjitha rrugëve juridike për kundërshtimin e tij. Në reagimin e publikuar në Facebook, politikani shqiptar ka deklaruar se vendimi nuk mund ta zhbëjë historinë e UÇK-së.
“Ky vendim sot nuk është drejtësi! Nuk zhbëhet dot historia e lavdishme e UÇK-së kështu! Padrejtësi. Shqiptarët duhet të mbrojnë UÇK-në. Duhet të mbrojmë lirinë dhe çlirimtarët nga ky vendim i padrejtë! Duhet të gjejmë të gjitha rrugët juridiko-ligjore të zhbërjes së këtij vendimi, sepse duhet të mbrojmë me çdo kusht identitetin tonë si komb”. – Taulant Balla.
Reagime të shumta ka pasur edhe në rrjetet sociale nga aktivistë, politikanë dhe funksionarë të tjerë publik. /Alsat.mk








