Gazetare: Fatlume Dervishi
Avokati i Hashim Thaçit, ai i Kadri Veselit dhe avokatja e Jakup Krasniqit konfirmuan se do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Speciale. Ata thanë se kjo ishte një ditë e zezë për drejtësinë dhe sidomos për drejtësinë ndërkombëtare. Sipas avokatëve, gjykata nuk ka marrë parasysh dëshmitë e palës mbrojtëse dhe nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme për akuzat e prokurorisë.
“Në emër të z.Veseli ne kemi theksuar mungesën e dëshmive për përfshirjen e tij në cfarë do kidnapimi, vrasje ose aktiviteti kriminal gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Për fat të keq kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën, për sundimin e ligjit ose për të drejtën ndërkombëtare. Ne do të rishikojmë këtë gjykim me kujdes të madh dhe njoftojmë apel për të dëshmuar pafajësinë e z.Veseli dhe ta kthejmë atë në shtëpi në Kosovë.” – Rodnej Dikson, Avokat i Kadri Veselit.
“Sot ishim dëshmitar të një drejtësie të shpërfytyruar. Është e qartë për mua dhe për ne se ky rezultat ishte I vendosur para kohe. E them këtë sepse ajo që mund të shohim ishte se trupi gjykues rishkroi historinë. Ne kishim dëshmitarë që erdhën dhe shpërndanë përvojën e tyre. Ata e kishin thënë qartë se Thaçi nuk ishte në krye. Ata e kishin bërë të qartë se UCK-ja ishte një grup i udhëheqësve regjional, njerëzve që kontrollonin fushat e tyre por ajo që dëgjuam sot ishte që gjykata rishkroi historinë për të thënë se kjo ishte një strukturë e organizuar dhe e vendosën të gjithë përgjegjësinë te Hashim Thaçi. Kjo luftë do të vazhdojë. Ne do ta apelojmë vendimin por unë mund të them se kjo ishte një ditë e zezë për drejtësinë ndërkombëtare. Unë madje do të shkoj më larg duke thënë se ky është fundi I gjykata ndërkombëtare sepse cili shtet, me mend në kokë, do të pajtohet për një proces të tillë.” – Pierre Richard Prosper, Avokat i Hashim Thaçit.
“Sigurisht se jemi shumë të zhgënjyer me gjykimin. Ne do ti rishikojmë dëshmitë me kujdes. Është e qartë se dëshmitë e rëndësishme nuk janë marrë parasysh ose nuk kanë marrë peshën e nevojshme. Pozita jonë është që vendimi i këtij gjykimi duhet të ishte lirimi nga të gjitha akuzat.” – Venkatesvari Alagendra, Avokate e Jakup Krasniqit.
Avokatët thanë se do t’u duhet kohë deri në përgatitjen e apelit. Megjithatë janë të bindur në vërtetimin e pafajësisë së klientëve të tyre. /Alsat.mk








