Abdixhiku: Asnjë aktgjykim nuk e zhbën të vërtetën historike të luftës në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Abdixhiku ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale nuk mund ta ndryshojë, sipas tij, të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Ai ka vlerësuar rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në historinë e vendit.

“Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë. UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka përmendur gjithashtu krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke akuzuar regjimin e atëhershëm të Serbisë për vrasje të civilëve, dëbime me forcë, dhunë dhe shkatërrim të vendbanimeve.

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se pasojat e luftës vazhdojnë të jenë të pranishme për familjet kosovare.

Pas aktgjykimit, ai ka bërë thirrje për unitet politik dhe qytetar, duke kërkuar që partitë politike t’i lënë mënjanë ndasitë dhe të tregojnë përgjegjësi në këtë periudhë.

“U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka theksuar se liria dhe shteti i Kosovës janë përgjegjësi e përbashkët, duke bërë thirrje për ruajtjen e unitetit qytetar dhe të marrëdhënieve me aleatët që e mbështetën Kosovën në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Liria jonë ka kushtuar shumë. Shteti ynë është përgjegjësi e të gjithëve”, ka përfunduar Abdixhiku.

LEXO EDHE:

Back to top button