Të paktën 7 të vdekur në Aeroportin e Kabulit

Pamjet e gati 650 afganëve të ngjeshur njëri pas tjetrit në  bordin e një avioni transportues të forcave ajrore amerikane, në përpjekje për t’i shpëtuar talibanëve, kanë bërë xhiron e botës. Ky numër është shumë më i madh nga kapaciteti i avionit C-17 Globemaster II, e megjithatë ekuipazhi i tij vendosi që ta ngrinte në ajër e t’i largonte ata njerëz prej frikës së tyre më të madhe.

Kaosi shpërtheu në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit të dielën dhe të hënën, pasi forcat e armatosura amerikane vendosën t`i mbyllnin fluturimet komerciale për të lejuar evakuimin e personelit qeveritar dhe aleatëve të Shteteve të Bashkuara. Të paktën 7 persona humbën jetën atje, përfshirë dy burra të armatosur të qëlluar nga ushtarët amerikanë dhe të tjerë që ranë nga avioni. Në njërin nga fluturimet, pilotët shpallën emergjencën kur panë se nuk po hapnin dot rrotat dhe u detyruan të zbrisnin në një vend të tretë. Pas kontrolleve, aty u gjetën mbetje njerëzore, të njerëzve që ishin ngjitur fshehur, në përpjekje për të lënë Afganistanin.

Përveç që kanë vërshuar institucionet kyçe dhe kanë bërë fotografi, talibanët e rritur kanë vërshuar edhe këndet e lojërave për fëmijë për të kaluar momente argëtimi.

Në një tjetër pamje duket që shijojnë pajisjet e palestrës në pallatin presidencial të Kabulit.

Presidenti amerikan Joe Biden e mbrojti vendimin për largimin e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, edhe pse e pranoi dhe vetë se nuk ia kishte marrë mendja që gjërat do të precipitonin kaq shpejt, e për këtë fajësoi lidershipin vendas duke thënë se trupat afgane dështuan në mbrojtjen e vendit të tyre. Joe Biden paralajmëroi se SHBA do të vepronte shpejt nëse tabilanët do të sulmonin qytetarët amerikanë apo do të përpiqeshin që të shkatërronin përpjekjet e evakuimit në Kabul.

Në kryeqytetin Kabul të Afganistanit po veprojnë vetëm tri ambasada të huaja, e Rusisë, Kinës dhe Pakistanit. Të gjitha vendet tjera kanë evakuuar personelin e ambasadave të tyre. Vendi fundit që tërhoqi stafin ishte India.

Qeveritë e vendeve evropiane po përgatiten për një rritje të pashmangshme të refugjatëve. Rreth 30,000 qytetarë afganë janë larguar nga vendi çdo ditë gjatë 10 ditëve të fundit, shumica udhëtojnë në Iran ose Pakistan me rrugë tokësore.

Këto janë pamjet nga kufiri i Turqisë me Iranin, ku po ndërtohet një mur me qëllim parandalimin e një fluksi të ri refugjatësh, kryesisht nga Afganistani. Deri më tani një pjesë 5 km e murit 3 metra të lartë është në ndërtim e sipër, dhe Turqia po synon ta zgjasë atë deri në 295 km në kufirin e saj iranian, të përforcuar nga telat me gjemba.

2 mijë afganë do të strehohen në Shqipëri pasi udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës thanë të dielën se kishin pranuar kërkesën nga Amerika për të pritur përkohësisht refugjatët politikë që kërkonin hyrje në SHBA.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button