Të punësuarit lëshojnë KSHZ-në çdo ditë

Të punësuarit lëshojnë KSHZ-në çdo ditë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Dhjetëra të punësuar kanë lënë punën në KSHZ dhe disa të tjerë kanë paralajmëruar largimin e tyre për shkak të mosavancimit në punë, shkruan Alsat.

Kreu i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski thotë se ky është problem serioz për institucionin, i cili gjithsesi nuk plotëson as gjysmën e nevojave të parashikuar me sistematizimin e kuadrove.

Kërkesa për plotësimin e planit për avancim dhe punësim për periudhën 2020-2023 i është kthyer pesë herë nga Ministria e Financave.

“Nëse nuk plotësohen këto vende ne do të gjindemi me të punësuar ndihmës megjithatë dhjetëra njerëz kanë ikur këtë vit sepse avancimi në punë do të nënkuptonte edhe të ardhura më të mëdha. Kështu që njerëzit nëse nuk avancohen dhe nëse nuk pranohen njerëz të rinj, të tjerët ikin dhe vihet në pikëpyetje funksionimi i mëtejshëm”, tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Dashtevski vlerëson se institucioni i tij është i gatshëm për procesin zgjedhor.

“Në çdo rast është më e vështirë të kesh dy palë zgjedhje të njëjtin vit se sa një palë megjithatë mendoj se do të kemi sukses dhe do t’i zbatojmë zgjedhjet me sukses”, u shpreh Aleksandar Dashtevski, kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Gjatë ditëve në vijim, Kuvendi duhet të miratojë disa nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-së për Kodin zgjedhor, megjithatë Dashtevski thotë se janë kryesisht çështje teknike që lehtësojnë punën e tyre. Në grupin e punës për këto ndryshime, nuk ka pasur marrëveshje për të ndryshuar dispozitat për financimin e fushatës zgjedhore, edhe pse ODIHR-ja ka kërkuar edhe rishikimin e tyre. Sipas këtij institucioni ndërkombëtar, nuk ka kushte të barabarta reklamimi politik gjatë fushatës, për të gjithë pjesëmarrësit në garë.

Nga ana tjetër, nuk dihet se sa mjete buxhetore do të kursehen nga fakti që zgjedhjet në pranverë do të jenë të dyfishta dhe jo të ndara, për shkak se për këtë akoma nuk është bërë një vlerësim. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button