Të punësuarit në drejtorinë e librave amë kanë vazhduar me protestën për rritjen e rrogave

Të punësuarit në drejtorinë e librave amë kanë vazhduar me protestën për rritjen e rrogave

Gazetar: Mefail Ismaili

Punonjësit e Librave Amë kanë paralizuar për disa orë komunikacionin në Shkup në protestën e tyre për rritjen e pagave dhe nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive, shkruan Alsat.

Përfaqësuesit e sindikatës thonë se punonjësit e tyre vazhdojnë të marrin pagë minimale prej18 000 denarësh dhe se nuk do të kthehen në vendin e punës derisa nuk pranohen kërkesat e tyre.

“Kërkojmë 30% rritje të pagës dhe 50% të pagës mesatare për K-15. Do të thotë këto kërkesa kanë mbetur pa na u plotësuar. Sa është për momentin paga mesatare që e merr një i punësuar në drejtorinë tuaj? 18.000 denarë, të cilën na paguajnë nga muaji i kaluar, jo prej në muajit mars prej kur duhej të na e paguanin. Nuk na kanë paguar as K-15 për vitin 2020. Imagjinoni si do mbijetojmë me 18 000 denarë me këto çmime të rritura…”, tha Toni Milloshovski, kryetar i Sindikatës së pavarur të punonjësve në Librat Amë.

Punonjësit e drejtorisë për udhëheqjen e Librave Amë, thonë se për më shumë se një muaj po ballafaqohen me presione të mëdha për të ndërprerë grevën.

“Prej drejtorisë sonë është presioni i parë se do të na heqin 40% prej rrogës. Edhe ajo na mungon, sepse e kemi shumë rrogën  madhe. Do e kisha lutur drejtorin mos të ndodh kjo, por ta shpejtojmë procedurën ta gjejmë një zgjidhje e jo tu shkurtohet rroga të punësuarve të cilët janë edhe kreditë dhe nuk mund t’ia dalin sidomos në këtë situatë që jemi”, u shpreh Naser Xhemaili, Sindikata e Punonjësve në Librat Amë.

Punonjësit e Librave Amë thonë se do të vazhdojnë grevën dhe nuk do të punojnë derisa qeveria të pranojë nënshkrimin e marrëveshjes Kolektive me Sindikatën e pavarur të Drejtorisë së Librave Amë.

Nëse kjo nuk ndodh së shpejti, paralajmërojnë se javën tjetër do të bllokojnë më shumë rrugë të kryeqytetit. Ndërsa thonë se për momentin për certifikata të lindjes, vdekjes dhe dokumente tjera do u shërbejnë vetëm qytetarëve me raste urgjente shëndetësore./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button