Temperaturat e larta, shtohen thirrjet në urgjencë

Temperaturat e larta, shtohen thirrjet në urgjencë

Gazetare: Melihate Rustemi

Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë bërë që thirrjet telefonike në numrin 194 të jenë të vazhdueshme, thonë nga Qendra e Urgjencës. Tre ditët e fundit janë kryer 187 intervenime, 63 prej të cilave raste urgjente. Siç thonë nga ky institucion është shqetësuese rritja e numrit të rasteve të aksidenteve në trafik.

“Kemi rritje të numrit të aksidenteve të trafikut dhe traumat e lëndimeve te qytetarët. Kemi 21 aksidente trafiku dhe 21 trauma nga lëndimet, respektivisht pacientët janë përplasur ose rrëzuar. Fatkeqësisht, shoferët të cilët patjetër duhet të lëvizin në qytet ndikohen nga i nxehti prandaj supozojmë se janë rritur rastet e aksidenteve të trafikut për shkak të nxehtit dhe nervoza që shkaktohet nga i nxehti”, deklaroi Milica Buballo, Qendra e Urgjncës.

Rasti i fundit i aksident trafikut ndodhi një ditë më parë. Sipas Ministrisë për Punë të Brendshme aksidenti i rëndë ka ndodhur në rrugën rajonale Krushevë-Krivogashtan ku humbën jetën një grua dhe një e mitur pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga.
Ndryshe nga aksidentet e trafikut, nga Qendra e Urgjencës thanë se janë ulur rastet e kolapsit në ambiente të hapura.

“Pozitive në këtë moment është ulja e rasteve të kolapsit, kemi vetëm katër në tre ditët e fundit ndërkohë që kemi 9 raste vdekje. Pjesa më e madhe e qytetarëve i respektojnë rekomandimet dhe nuk dalin në periudhën kritike”, tha Milica Bubalo, Qendra e Urgjencës.

Nga Emergjenca përsëritën se pos të sëmurëve kronikë, mjekët rekomandojnë që kujdes të veçantë tu kushtohet edhe fëmijëve të vegjël pasi ekspozimi i drejtpërdrejt në diell mund të shkaktojnë alergji apo irritim të lëkurës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button